18 Janar, 2018 - 12:30 pm
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren një muaj më parë ka evidentuar tejkalimin e një lejeje për renovim të një ndërtese në rrugën “Adem Jashari” përkatësisht “Sheshin e Lidhjes” dhe e ka njoftuar për këtë drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e cila ditë më parë ka konfirmuar tejkalimin e lejes dhe ka bërë të ditur se lënda është në procedim e sipër.
Sipas shkresës së QRTK-së, autoritetet kanë miratuar projektin e rinovimit në këtë pjesë të ndërtesës me rekomandimin që pala obligohet që ta bëjë përshtatjen e elementeve që do ti vendosë në fasadën e lokalit, me arkitekturën e ndërtesës ekzistuese dhe në bashkëpunim me QRTK-në, duke respektuar Planin e Konservimit dhe Zhvillimit për Zonën Historike të Prizrenit. Por në shkresë thuhet se gjatë verifikimit të punimeve në datën 14 dhjetor 2017, “zyrtarët e QRTK-Prizren kanë vërejtur mosrespektimin e lejes dhe nëpërmjet një letre përcjellëse kanë njoftuar Komunën e Prizrenit-Drejtorinë e Inspektorateve, MKRS-DTK dhe IMMK”.
Në shkresën përkatëse QRTK ka bërë të ditur se punët e rinovimit në këtë ndërtesë kanë nisur pasi që është aprovuar projekti nga Komisionit përkatës i IKMM-së, sipas vendimit nr. 23/2016, të datës 21.06.2016. “Gjatë inspektimit të punëve në terren ekipi i QRTK Prizren ka vërejtur që investitori nuk po i përmbahet kushteve të lëshuara në vendimin nr.23/2016”, thuhet në shkresë. QRTK, më 14 dhjetor 2017, ka kërkuar nga Inspektorati ndërmarrjen e hapave të nevojshme për ndalimin e punimeve dhe largimin e pjesëve që paraqiten si tejkalim i lejes së lëshuar.
Kërkesës së EC-it për qasje në informata zyrtare lidhur me këtë rast, Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit i është përgjigjur më 17 janar 2018, ku ky organ thekson se pala posedon leje për renovim të objektit në fjalë si dhe në aneks të projektit kryesor është lejuar vendosja e konstruksionit prej hekurit përqark shtyllave të betonit të lokalit afarist.
“Pas kontrollit është konstatuar se ka tejkalim të lejes dhe është urdhëruar të ndërpriten punimet derisa të pajiset me leje shtesë për shfrytëzimin e hapësirës publike, në afat prej 15 ditësh nga dita e kontrollit. Pas skadimit të afatit ligjor të aktvendimit për ndërprerje punimesh, ka pasuar aktvendimi për largim vullnetar të konstruksionit të hekurt nga hapësira publike. Për shkaqe objektive shtyhet ekzekutimi i detyrueshëm. Lënda është në procedim e sipër”, thuhet në përgjigjen e DI-së.
EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit. Drejtuesit e QRTK-së patën konfirmuar se në 90 për qind të lejeve ndërtimore për objektet në Qendrën Historike të Prizrenit ka tejkalime të natyrave të ndryshme, si në gabarit, në etazhitet, në detaje apo në fasada.
EC edhe njëherë e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze dhe më energjike për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur./ KultPlus.com