11 Mars, 2018 - 8:30 pm
Në tre muajt e fundit të vitit 2017 Kosovën më së shumti e vizituan njerëz nga Shqipëria, Gjermania e Turqia.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për tre muajt e fundit të 2017-ës.
Sipas ASK-së gjatë kësaj periudhe Kosovën më së shumti e vizituan shtetas të Shqipërisë, Gjermanisë e Turqisë.
“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia etj”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave.
Statistikat agjencia i formuloi duke anketuar përfaqësues të 137 hoteleve, ndërsa kapaciteti i shfrytëzuar hotelier në periudhën tetor- dhjetor 2017 ishte 11,54 për qind.
Agjencia tregoi edhe numrin e bujtjeve në këta tre muaj dhe dallimin në përqindje nëpër ambientet hoteliere mes vizitorëve të huaj dhe atyre vendas.
“Në TM 4 2017, numri i vizitorëve ishte 29 736 vizitorë, ku 30.95 % ishin vizitorë vendorë dhe 69.05% ishin vizitorë të huaj. Kurse, numri i bujtjeve në TM4 2017 ishte 51 614, ku 27.79 % e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 72.21 % ishin nga të huajt”, sqaron komunikata.
ASK-ja bëri të ditur se më së shumti vizita nëpër hotele kishte në rajonin e Prishtinës.
“Numrin më të madh të vizitorëve dhe netqëndrimet e tyre e ka Rajoni i Prishtinës me 17 253 vizitorë dhe 29 838 netqëndrime” tregohet në komunikatë./ KultPlus.com