4 Mars, 2018 - 10:05 am
Ka shumë arsye përse duhet ta vizitoni Shqipërinë. Është një vend vërtet unik dhe autentik. Në çdo kthesë, njeriu ndeshet me një peizazh apo plazh tjetër të bukur.
Njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës, shkruhet sot në faqen e specializuar për çështjet e turizmit si dhe një nga më të ndjekurat në rrjetet sociale https://anitahendrieka.com.
”Një nga pyetjet e kujtdo që viziton Shqipërinë është: Cilin qytet të vizitoj?”
Shqipëria ka shumë qytete të shkëlqyera, qyteza dhe fshatra që vizitori nuk duhet të rrijë pa i parë. Prandaj, unë kam përmendur disa nga qytetet kryesore për t’u vizituar kur jeni në Shqipëri.
Ka shumë arsye përse duhet ta vizitoni Shqipërinë. Është një vend vërtet unik dhe autentik. Në çdo kthesë, njeriu ndeshet me një peizazh apo plazh tjetër të bukur. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Gjatë vitit të fundit, Shqipëria është bërë vendi im i preferuar për shkak se është unike dhe ka tradita të forta që nuk t’i ofron asnjë vend tjetër në Evropë.
Pa shumë zhurmë, ja cilat janë pikat kryesore për t’u vizituar në Shqipëri:
BERATI
Berati njihet ndryshe si ”qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të shtëpive të stilit otoman për të cilat Berati është i njohur. Qyteti është në listën e UNESCO-s dhe mban mbi shpinë 2 000 vjet histori për t’u eksploruar.
Nga maja e kalasë mund të shohësh pamje të mahnitshme. Brenda mureve të kështjellës, mund të shohësh shtëpi të zakonshme si ato ku njerëzit banojnë edhe sot. Nëse jeni turistë të aventurës, mund të qëndroni në një bujtinë të shkëlqyer. Ka gjithashtu katër kantina vere (Çobo-Nurellari-Malinati-Luani) ku mund të shijoni verën lokale.
HIMARA
Himara është një qytet më pak i gjallë, që gjendet pak orë larg me makinë nga Saranda. Është një portë hyrëse shumë më pak aktive se Saranda. Pamja është jashtëzakonisht e bukur dhe është vendi i duhur nëse do të qetësohesh buzë detit për pak ditë.
Unë ju rekomandoj të bëni një udhëtim në pjesën e vjetër të Himarës, që ndodhet në kodra, pas kështjellës. Atje mund të shohësh pamje të jashtëzakonshme të Rivierës si dhe një fshat tradicional. Është shumë i bukur.
SHKODRA
Ndodhet në veri të Shqipërisë. Ky qytet është origjinal dhe një prag i shkëlqyer për disa ngjitje fantastike në zonë. Mund ta dalloni që Shkodra është qyteti i biçikletave. Është edhe një vend jashtëzakonisht i lirë. Arkitektura është e ndryshme nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Mund ta ndjeni veten pas në kohë si në një film të vjetër. Kjo është magjia e Shkodrës.
Fakt interesant! Shqipëria e jugut flet në një dialekt të ndryshëm nga shqiptarët në veri si në Shkodër dhe Kosovë.
GJIROKASTRA
Shumë njerëz shkojnë në Berat dhe Gjirokastër sepse mendojnë që janë qytete në listën e UNESCO-s. GABIM! Sigurohuni që të shkoni edhe në Gjirokastër. Rrugë me kalldrëm dhe një kështjellë e vendosur në majë, Gjirokastra ia vlen të ndalosh.
Sigurohuni që të keni kohë edhe për kështjellën ku mund të shohësh dhe të ngjitesh po të kesh dëshirë, në cisternën e ujit të ushtrisë dhe ku sheh pamje mahnitëse. Aty ka shumë për të parë, përfshi tunelet nëntokësorë, një muze armësh (ku mund t’i marrësh armët edhe në dorë!) si dhe dhoma të braktisura të kështjellës. Kalojeni pasditen duke u endur nëpër rrugë ndërsa njerëzit të shikojnë nga kafenetë. Gjirokastra ka shumë reputacion!
Nëse jeni turist i aventurës, ju rekomandoj të qëndroni në bujtinën e ”qytetit të gurtë”, siç njihet ndryshe. Është një bujtinë mbresëlënëse.
TIRANA
Për mendimin tim, Tirana është një nga qytetet më të këndshëm në Europë. Ajo ka një cilësi: ka shumë gjëra për të parë dhe çfarë është më e rëndësishmja për një turist, pijet alkoolike nuk janë të shtrenjta. Në verë, kur shumë njerëz shkojnë në plazhet e Sarandës dhe Durrësit, qyteti nuk është shumë i populluar, por në dimër qyteti gjallërohet sërish. Ka shumë vende në Tiranë për të festuar. Mos harroni të vizitoni kafe-bar ”Komiteti”. Mund të provoni të gjitha llojet e rakisë atje, në lokalin që duket si një muzeum! Është një vend i shkëlqyer për të kaluar kohën.
Ju mund të shikoni edhe shtëpinë e ish-liderit komunist, Enver Hoxha. Unë rekomandoj veçanërisht të shkoni në ”Shtëpinë e gjetheve” për të zbuluar më shumë për Shqipërinë në kohën e komunizmit. Ka shumë gjëra për të bërë, kështu që unë rekomandoj të kaloni disa ditë atje.
SARANDA
Saranda është vendi ku unë rri kur shkoj në Shqipëri. Gjatë muajve të verës ai është një qytet që popullohet shumë për shkak të plazheve duke u shndërruar në një nga vendet më të rekomanduara për t’u vizituar. Saranda është një përzierje plazhesh, restorantesh dhe vendesh të mira ku mund të bësh edhe jetën e natës. Në verë, një numër i madh shqiptarësh vijnë këtu për të punuar dhe jetuar për sezonin turistik, kështu që jeta e natës premton shumë.
Në dimër Saranda është një qytet i fjetur, por sërish të ofron një mot të jashtëzakonshëm. Në fakt, Saranda ka 300 ditë me diell në vit, kështu që, nëse do të doja ta kaloja dimrin në Europë, atëherë do të vija këtu!
KSAMILI
Vetëm 20 minuta me autobus nga Saranda është parajsa e mrekullueshme e Ksamilit. Këshilla e vetme imja është ta vizitoni çdo muaj, përveç korrikut dhe gushtit, pasi gjatë këtyre dy muajve ju nuk mund të gjeni vend. Ksamili është më i këndshëm për t’u vizituar në fund të verës, kur turistët kanë ikur dhe kur mund të gjeni shezlongë bosh.
Rërë e bardhë, det kristal, çfarë kërkoni më shumë? Ka edhe disa ishuj, mund të merrni me qira ”jet ski” apo varka me rrema për të kaluar një ditë nën diellin shqiptar!
KORÇA
Kur të vini në Shqipëri ju do të provoni patjetër birrën lokale ”Korça”. Ok, por ju mund të vizitoni edhe qytetin ku prodhohet birra ”Korça”. Gjëja më e mirë që do të gjeni është birra me çmim të lirë. Kjo nënkupton se ju do të paguani pak qindarka për një shishe birrë, kjo është ”çmenduri”! Korça ndodhet në një luginë, kështu që qyteti është i rrethuar nga malet. Nga Korça ju mund të ngjiteni edhe në male.
Ky është itinerari i qyteteve më të mira ndërkohë që jeni në Shqipëri. Ka edhe shumë vende të tjera për t’u vizituar atje. Çdo qytet dhe fshat është unik. Këshilla ime është të merrni një makinë me qira dhe të udhëtoni në të gjithë vendin. Kjo është mënyra për të parë akoma më shumë, shkruan ata./ KultPlus.com