4 Dhjetor, 2018 - 8:30 pm
Një qytet ideal për të jetuar atmosferën magjike të Krishtlindjeve është Vjena, kryeqyteti i mrekullueshëm austriak, ku nga fundi i nëntorit deri në mes të janarit, zbukurohet me mijëra drita, për t’ju dhuruar emocione unike.
Ndër destinacionet më të mira për t’u vizituar gjatë festave të fundvitit në Evropë është Vjena, ku rrugët, sheshet dhe ndërtesat zbukurohen me miliona drita për t’u dhuruar vizitorëve një përvojë të mrekullueshme; ose Amsterdami, ku mund të vizitoni atraksionet kryesore të qytetit, duke ndjekur projektimet dhe instalimet e shndritshme të “Light Festival”.
Destinacione të tjera ideale për festat e fundvitit janë Oslo dhe Stokholmi, ku tregjet e Krishtlindjeve, pistat e akullit dhe zbukurimet në qytet ndriçojnë ditët e gjata të dimrit, transmeton ‘monitor’.
Një tjetër destinacion që nuk duhet ta humbisni kurrsesi është Moska. Gjatë periudhës së Krishtlindjeve, që sipas traditës ortodokse festohet më 7 janar, Moska vishet me zbukurime të mrekullueshme dhe ofron atraksione unike si pistat e akullit përpara Kremlinit, përcjell albinfo.ch.
1.Vjenë, tregjet e Krishtlindjeve dhe pallate mbretërore
Një qytet ideal për të jetuar atmosferën magjike të Krishtlindjeve është Vjena, kryeqyteti i mrekullueshëm austriak, ku nga fundi i nëntorit deri në mes të janarit, zbukurohet me mijëra drita, për t’ju dhuruar emocione unike. Gjatë ditëve të fundvitit në Vjenë, ju do të zhyteni në një atmosferë dritash, ngjyrash dhe aromash që shoqërojnë atraksionet kryesore të këtij qyteti.
Gjatë periudhës së fundvitit ju këshillojmë të vizitoni tregjet e ndryshme të Krishtlindjeve. Ndër më të bukurit është Christkindlmarkt, në sheshin e Bashkisë, pranë të cilit edhe një pistë e madhe akulli, apo tregun antik të Freyung, i cili daton në 1700. Një tjetër përvojë që nuk duhet ta humbisni kurrsesi është pallati Schönbrunn, për të shijuar spektaklin e borës që mbulon rrugët e parkut që e rrethon.
2.Amsterdam, përgjatë itinerareve të “Light Festival”
Amsterdami është një tjetër destinacion europian për të përjetuar magjinë e Krishtlindjeve. Ndër të tjera, temperaturat në këtë qytet, më të buta se ato të kryeqyteteve të mëdha të Europës së Veriut e bëjnë edhe më të këndshme kohën që do tw kaloni jashtë, në zbulim të zbukurimeve të Krishtlindjeve në qytet dhe të shumë tregjeve dhe atraksioneve në të.
Deri më 20 janar, qyteti ndriçohet nga Amsterdam “Light Festival”, lojëra dritash dhe projektime që i bëjnë edhe më magjike kanalet, dritat dhe sheshet e tij.
Këtë festival dritash mund ta shijoni duke ndjekur dy itinerare, një në ujë dhe një në tokë. Ju nuk duhet t’i humbni kurrsesi edhe tregjet e Krishtlindjeve në Leidseplein dhe Museumplein si dhe pistat e patinazhit pranë tyre.
3.Oslo, pista patinazhi dhe traditat e Krishtlindjeve
Nëse dëshironi të kaloni ditët e fundvitit në Europë, një ndër qytetet më të bukura në këtë periudhë është Oslo. Kryeqyteti i Norvegjisë ju dhuron, të mëdhenj e të vegjël, emocionin për t’i jetuar ditët si në përrallë, mes dritave, zbukurimeve me rastin e festave dhe tregjeve, ku aroma e ëmbëlsirave dhe pistat e patinazhit janë mu në qendër të qytetit.
Ndër atraksionet më të bukura është tregu i Krishtlindjeve në Spikersuppa, në qendër të qytetit, me një pistë patinazhi pranë tij dhe ai në muzeun Norsk Folkemuseum ku mund të zbuloni edhe traditat e ndryshme të Krishtlindjeve në rajone të ndryshme të Norvegjisë. Nëse i ftohti është i acartë ju këshillojmë të vizitoni Galerinë Kombëtare të Oslos, ku mund të admironi veprat e pikturuara nga fundi i shekullit 19 deri në Luftën e Dytë Botërore nga disa prej piktorëve më në zë europianë. Ndër pikturat e ekspozuara janë vepra të Monet, Manet, Renoir, Degas, Cézanne, Matisse, Picasso dhe “Britma” e famshme e Munch.
4.Stokholm, tregje tipike dhe dyqane luksoze
Një tjetër destinacion fantastik për të kaluar fundvitin është Stokholmi, kryeqyteti i Suedisë. Ju nuk duhet ta humbni kurrsesi një shëtitje mes Gramla Stan, qendra antike historike dhe piktoreske e zbukuruar me rastin e festave, pranë së cilës ndodhen tregje të mrekullueshme, ose zona Stureplan, me dyqanet e saj luksoze, restorante dhe bare. Ju këshillojmë edhe Nordiska Kompaniet, ku mund të admironi zbukurimet që do t’ju lënë pa mend me rastin e Krishtlindjeve.
5.Moskë, kupola të mbuluara me borë dhe shfaqje teatrore
Nëse i bëni ballë të ftohtët, t’i kaloni pushimet e fundvitit në Moskë mund të jetë një përvojë unike për ditë të paharruara. Kupolat e mbuluara me borë të Shën Vasilit dhe Sheshi i Kuq mbushen me qindra dyqane të vogla me rastin e festave.
Por këto nuk janë të vetmet atraksionetkryesore në Moskë gjatë periudhës së fundvitit. Ju këshillojmë një shëtitje, mes dritave dhe zbukurimeve të shumta përgjatë Tverskaja deri në sheshin me të njëjtin emër ku vihen në skenë disa përralla ruse nga kompani teatrore që vijnë nga e gjithë bota. Mos humbisni as pistat e akullit përballë Kremlinit!