30 Qershor, 2019 - 1:30 pm
Në qytetin e Gjirokastrës vazhdojnë ndërhyrjet restauruese për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e banesave karakteristike të cilat kanë histori dhe vlerë për vetë qytetin por dhe për vizitorët.
Specialistët e e DRKK Gjirokastër kanë filluar punime restauruese në shtëpinë e “Çerçiz Topullit” monument kulture i kategorisë I e cila kishte probleme në pjesën veriore të çatisë për shkak të amortizimit të mahive dhe petavrave të cilat rrezikonin seriozisht tavanet dhe dekorimet murale poshtë kësaj pjese të dëmtuar.
Mjeshtrat e DRKK Gjirokastër po ndërhyn për restaurimin e kësaj pjese duke treguar një kujdes të veçantë që të ruhen vlerat e kësaj banese.
Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.
Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.