10 Janar, 2019 - 10:26 pm
Photo by Blerdi Malushi.
…nga libri “ Qyteti dhe Dashuria”
Çfarë i bënë bora një qyteti komunikimi për të cilin është i ngrirë prej kohësh?!…
Shumë qytete në botë preokupohen që ta përfshijnë dimrin përbrenda procesit të vizionimit, formësimit dhe ngjarjeve në qytet. Këto ide përfshihen qysh në fazën e hershme të planifikimit si një mundësi më shumë në paletën kulturore të qytetit dhe si sfidë për ta përjetuar dhe për ta shijuar qytetin edhe gjatë stinës së dimrit. Në këtë drejtim sheshet e bulevardet apo hapësirat publike në përgjithësi akomodojnë hapësira patinazhi, ngjarje të ndryshme dimërore, festivale e çka jo tjetër. Krejt kjo bëhet me qëllimin kryesor që të ulet diskomforti dhe qyteti të jetë po aq present, po aq i përshtatshëm dhe i jetueshëm për njerëzit edhe gjatë stinës së dimrit. Prandaj, qytetet që kanë arritur që përmes politikave të tyre publike ta akomodojnë suksesshëm dimrin në mendjen e tyre, janë shndërruar në qytete të qëndrueshme duke përfituar edhe ekonomikisht në këtë drejtim, duke ngritur cilësinë e jetës dhe imazhin e një qyteti që i shërben qytetarëve të tij gjatë gjithë vitit. Në të kundërtën qytetet të cilat mundohen ti rezistojnë dimrit “duke u mbrojtur nga ai” shndërrohen në qytete të ngrira dhe trishtuese .
Prishtina nën petkun e bardhë është pamja që e dashuron shumëkush nga ne, ndoshta për faktin që lehtësisht e përkohësisht mbulon fytyrën tonë të vërtetë si komunitet a qytet. Por kjo pamje joshëse kthehet shumë shpejt në trishtim për shumkë për të lënë një shije të ithët sërish për qytetin.
A thua pse? E duam në vërtetë dimrin dhe borën apo vetëm idenë e borës si mbulesë për një Prishtinë më të bukur? Cila është ndjenja jonë e sinqertë?.
Për shumë njerëz dimri është stina me të cilën ata rriten, realizohen, dashurojnë, reflektojnë. Këtë emocion në Prishtinë e sollën këto ditë djemtë e “SNOWNJERI” për të cilët bora ishte festa ku ata do të akomodonin nevojën dhe dëshirën e tyre për një qytet të mundësive, për një qytet funksional dhe për një qytet për tu dashur e për tu përjetuar edhe gjatë dimrit. Në proces të shijimit dhe përjetimit të qytetit të bardhë përmes skijimit mu në zemrën e tij dhe akrobacioneve të shumta në hapësirat publike në qytet, ata sollën një fytyrë të re Prishtinase e të paparë deri më tani. Pamjet e djelmoshave akrobatik në ajër e me ski të kryqëzuara sikur simbolizonin fitoren e një qyteti që po shkrihej në dashurinë për dimrin. Ata nuk I rezistuan dimrit dhe borës, përkundrazi ata e përqafuan atë, u mishëruan me të, e përjetuan atë. Ata e fituan dashurinë e tij.
E për Komunën ideja për dimrin në Prishtinë nuk nënkupton asgjë më shumë se sa mirëmbajte a pastrim me kamionë, lopata e me krip, ngase dimri për ta është befasia dhe trishtimi bashkërisht. Por as edhe këtë ata nuk e menaxhuan dot, nuk i rezistuan dot dimrit, duke e lënë tash e një javë Prishtinën të ngrijë tërësisht duke u shndërruar në qytet ankthi ku komunikimi dhe lëvizja është e pamundur , në mos them të dhimbshme dhe me pasoja.
Këtij imazhi nuk i bëri ballë dot as “vetvendosja” e cila doli këto ditë në një demonstrim me ski nëpër qytet duke e ironizuar idenë e qytetit të ngrirë dhe të pamundshëm për lëvizje normale.
Ata nisën rrugëtimin nga “ NEWBORN”-I, simboli “Fisnik” i kryeqytetit të pavarësisë së Kosovës me moton Prishtina “qendër skijimi apo kryeqytet”?
Cila është e vërteta e Prishtinës?
Në mungesën e qendrës së skijimit të cilën Prishtina e kishte dikur në Gërmi si kryeqytet i krahinës së Kosovës, sot skijimi u qendërzua në Prishtinë si mundësi alternative për ta përballuar apo rezistuar Prishtinën dimërore si kryeqytet I shtetit të Kosovës . Ironike apo jo por edhe ky dimër nuk shpalosi asgjë më shumë , veçse idenë se ky qytet është pikërisht produkt I vetëvendosjes së këtij komuniteti për një menaxhment dhe mjedis të këtillë.
As qendër skijimi e as kryeqytet? Kjo është Prishtina sot, do thosha unë.
Këtij “krye” qyteti i cili e ka humbur kryet që moti dhe nuk i shërben kurrqysh komunitetit të tij as verë e as dimër do ti duhet një krye i ri, i cili me idenë e shkrirjes së relacioneve qytet- komunitet do të krijonte kondita për një platformë të përbashkët komunikimi për akomodimin e stinëve, dëshirave, nevojave dhe ideve për qytetin në një rrugëtim të ri me një rrëfim të ri.
Në të kundërtën në një qytet ku komunikimi për qytetin është i ngrirë, qyteti nuk mund të jetë përjashtim.
Përjashtim bëjnë vetëm disa që më çiltërsi dhe dashuri krijojnë copëza alternative për një përjetim dhe një imazh ndryshe të Prishtinës, në rrugëtimin e tyre “freestyle” për ta shkrirë dhe për ta çliruar atë nga ngërçet dhe ngricat që e kanë kapluar tash sa.
Eliza Hoxha (“Zeri, 09.02.2012)/ KultPlus.com