12 Tetor, 2019 - 9:00 pm
Pas 30 vjetësh mungesë Lezhës do t’i rikthehet muzeu etnografik. Bashkia ka nisur punën për ndërtimin e muzeut, ku do të ekspozohen objektet historike që prej vitesh qëndrojnë të magazinuara në bodrumin e bibliotekës së qytetit.
Nën kryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Paçi thotë se muzeu është një domosdoshmëri për këtë qytet me histori mijëra vjeçare, ndërsa shton se do të ekspozohen 250 deri në 300 objekte nga 841 që janë gjithësej të magazinuara.
Ermal Paçi: Kemi 841 objekte që janë të magazinuara që presin për ti parë syri i njeriut. Me hapjen e muzeut etnografik do shfaqim rreth 250 deri në 300 objekte në varësi të hapësirës që do të krijohet. Është një muze që i ka munguar për të paktën 30 vite Lezhës.
Turizmi kulturor e historik në Lezhë tërheq çdo vit mbi 25 mijë vizitorë e turistë, por kjo shifër do të jetë më e lartë me vënien në funksion të muzeut etnografik, pasi vizitorët kanë kërkuar në vazhdimësi që të dinë më shumë rreth këtij qyteti historik. /KultPlus.com