18 Maj, 2018 - 2:00 pm
“Shqiptarët janë mbështetës entuziastë të BE-së dhe Europa është feja jonë”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku foli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Me anëtarësimin në BE, theksoi Rama, “ne do të ndërtojmë një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes sonë”.
Duke folur për rëndësinë që ka për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Europian, Rama tha se “për ne dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është çështje për jetë a vdekje”.
“Pas aq shumë e shumë vitesh dhimbjeje dhe ankthi, Europa përcakton të ardhmen tonë. Siç mund të jeni në dijeni, Shqipëria ka patur regjimin më të frikshëm komunist në Europë dhe jo shumë larg në kohë, ne kemi përjetuar disa prej luftrave më të përgjakshme në Europë gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ose në Kosovë”, tha Rama.
“Shoqëritë tuaja nuk kanë përjetuar luftra prej tre brezash. Shoqëritë tuaja janë në njëfarë mënyre të shkëputura nga realitetet e ashpra të botës përtej BE-së. Nga këndvështrimi ekonomik, shoqëritë tuaja janë në gjendje të mirë dhe kjo ndoshta mund të jetë arsyeja përse europianët harrojnë se sa me fat janë”, tha Rama.