31 Korrik, 2024 - 6:33 pm
Muzeu Etnografik i Durrësit, i ngritur në Shtëpinë Muze të Aleksandër Moisiut do të rilind nga e para me një godinë të rijetësuar.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, se “muzeu do të rilind nga e para, me një godinë të rijetësuar, duke ruajtur arkitekturën dhe tërësinë e vlerave autentike që ka”
Rama shton se rëndësinë historike që mbart muzeu.
“Monument kulture i kategorisë së parë në dhomat e këtij muzeu ndodhen më shumë se 300 objekte, koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, punime artizanale, si dhe pavioni i biografisë familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut”, tha Rama.
Muzeu është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake të shek.XIX. Në dy dhoma të muzeut, shpalosen në stenda biografia familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut, bazuar në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh. Në dhomat e tjera janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij.
Ky muze përmban koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri./atsh/ KultPlus.com