25 Gusht, 2022 - 12:28 pm
Lagjja “Mangalem”, në qytetin e “një mbi një dritareve”, po i nënshtrohet një restaurimi të plotë për të tërhequr vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj në të gjitha stinët.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të punimeve që po kryhen në këtë lagje.
“Duart e arta të ustallarëve po qëndisin Mangalemin e Beratit, ku kryetari i Bashkisë në partneritet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po sjellin ngado ndryshime të bukura”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit.
Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.
Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërrmuese janë të dimensioneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe pa kopshte, si pasojë, hyrjet e banesave dalin drejtpërsëdrejti në rrugicë.
Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një dritareve”./ atsh / KultPlus.com