20 Janar, 2019 - 9:42 pm
Fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit.
Kështu ka analizuar raporti i ri krahasues i Bankës Botërore, Indeksi i Kapitalit Njerëzor (HCI).
Sipas raportit, një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.
Në përgjithësi, Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të hyrave.
Indeksi HCI përbëhet nga pesë indikatorë: gjasat për mbijetesë deri në moshën 5-vjeçare, vitet e pritura të shkollimit të një fëmije, rezultatet e testeve të harmonizuara që masin cilësinë e mësimit, shkalla e mbijetesës së të rriturve, dhe proporcioni i fëmijëve që nuk kanë kufizime në zhvillim.