14 Mars, 2023 - 12:50 pm
Sot, në orët e para të mëngjesit ju vu flaka Gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj. Për këtë vepër ka reaguar ministri i kulturës, Hajrullah Çeku, duke e quajtur krim, shkruan KultPlus.
Kjo ndodhi vetëm një javë pasi MKRS kishte nënshkruar kontratën për restaurimin e këtij gjimnazi dhe vetëm një ditë pasi kishin nisur punimet.
Çeku është shprehur se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, shkruan Çeku. / KultPlus.com