10 Maj, 2021 - 10:01 am
Era Berisha
Perla e vendosur në bregdetin e Mesdheut ngërthen në vete një kulturë, histori dhe traditë mjaft të veçantë duke filluar nga plazhet mahnitëse, ullinjtë mijëvjeçarë, fushat pjellore, liqenet, lumenjtë, monumentet kulturo-historike, klimën e butë e deri tek ngrohtësia shpirtërore e ulqinakëve që plotësojnë tërësisht këtë destinacion turistik të qytetit të Ulqinit në Mal të Zi, shkruan KultPlus.
Gjëja e parë që tërheq vëmendjen në hyrje të këtij qyteti është peizazhi antik i modernizuar i cili tërheq pas vete një numër të madh të vizitorëve duke i futur ata në magnetin e jashtëzakonshëm të ngjyrave verbuese, gjelbërimit diversiv dhe ujit të kristaltë që frymon në çdo cep të vendit.
Pylli i pishave i cili shtrihet prej plazhit të vogël në një gjatësi prej dy kilometrash shpalos një panoramë gërshetuese mes shkëmbinjve përreth që janë të vendosura buzë detit duke u bërë kështu copëza të pandashme të tij dhe së bashku me pishat të cilat herë të lejojnë të vështrosh pamjen e qetë të detit e herë të tjera të mbështjellin në një hije të domosdoshme duke i’u larguar kështu për pak sekonda rrezeve të diellit të cilat vendosen pingul mbi pamjen e bukur të këtij parku.
Ndërthurja e aromës freskuese të detit dhe zhurmës karakteristike të valëve krijuan një iluzion se edhe natyra gjallërohet në një mbizotërim ndjenjash që derdhen afër brigjeve të detit duke u përplasur me njëra-tjetrën dhe njëkohësisht duke ofruar një qëndisje emocioni të pakrahasueshëm në kujtimet e secilit njeri.
Interpretimi i valëve dinake përhapnin një melodi joshëse për udhëtarët të cilët dëgjonin tingujt tundues që portretizonin një peshë të veçantë të elementeve atraktive dhe jo vetëm. Në këtë shëtitore të bukur është e bashkangjitur edhe ‘’Plazhi i grave’’, me një përmbajtje mjaft të pasur të burimeve sulfurike dhe funksioneve shëndetësore. Pra, këto hapësira rekreative posedojnë një thesar për shpirtin e dashamirëve të heshtjes dhe qetësisë.
Ndërsa pjesa kyçe e qytetit të Ulqinit e titulluar si ‘Kalaja e Ulqinit’ dhe e njohur si ‘Qyteti i vjetër i Ulqinit’, e shtrirë përgjatë bregdetit Adriatik daton qysh nga shekulli V dhe zotëron një mbijetesë unike nga një numër i madh i pushtuesve të cilët kanë ndikuar në shndërrimin e mureve të kësaj kalaje por asnjëherë në vlerat kulturore të cilat nisin qysh nga periudha parahistorike.
Monumentet më të rëndësishme të historisë së Ulqinit si: Kulla e Balshajve, Tregu i Robërve, Pallati, Oborri mbretërorë dhe Kisha-Xhami e Ulqinit janë një pjesë mjaft e njohur për vendasit si dhe turistët ndërkombëtarë. Po ashtu, fragmentet e enëve të vogla dhe të mëdha nga dheu i pjekur mirë, mbeturinat e ornamenteve, elementet dekorative, guroret, sëpatat e tipit shkodrano-dalmatin të epokës së bronzit, mbishkrimet antike, kame antike, kapitele jonike, koleksionet arkeologjike, qeramika nga enët ilire, vajzat greke me figura të kuqe, skulpturat, pikturat, përmendoret e vjetra të cilat janë të shfaqura në Muzeun e Ulqinit i themeluar në vitin 1975, janë vulë e rëndësishme e rrugëtimit drejt urbanizimit.
Këto dëshmi interesante rrethojnë muret e gdhendura të këtij qyteti historik i cili hap dritaret e shumta por të veçanta, nëpërmjet të cilave shihet pamja e detit që depërton në vizualen e ngjyrës së gjelbër dhe të kaltër duke krijuar një skulpturë lëvizëse e cila asnjëherë nuk mund të pikturohet njëlloj nën vëzhgimin e shkëndijave të vogla të dritës që vijnë nga brendësia e syve tonë.
Kurse, gjurma e vazhdueshme që dallohet në çdo anë është edhe vetë Plazhi i Vogël i Ulqinit që njësoj sikurse dallgët e detit përputhet me imazhin piktoresk të një vëllimi të papritur dhe i cili përmban një dominancë bardhësore që vie direkt nga shtëpitë e rregulluara bukur në një arkitekturë që ngjason me atë të ‘Cinque Terre’, në Itali, shtëpi këto që njihen si një varg fshatrash bregdetarë dhe të cilat dallohen për shtëpitë shumëngjyrëshe por që në këtë rast shtëpitë përballë plazhit të vogël janë të vendosura në një vijë çoroditëse dhe ato komandohen nga bardhësia reale e cila ofron pamje gjithëpërfshirëse të detit dhe përfundon në një fantazi hyjnore me takimin abstrakt të pafundësisë së rrjedhës valore dhe ekzistencës së përjetshme të qiellit, të cilat vallëzojnë së bashku herë në një tango pasioni e herë në një vals të ëmbël.
Portet janë të mbushura me anije të ndryshme të cilat mundësojnë një xhiro përmes së cilës mund të adhurohet fluturimi i zogjve të veçantë që shquhen për madhështinë e lirisë absolute e cila dërgon vizitorin në një gjendje të paqes, në një vendngjarje ku shpirti bie të flejë dhe zemra goditet nga bubullima e emocioneve të llojllojshme.
Ndërsa, plazhi kryesor i prodhimit të ullirit në Komunën e Ulqinit është gjiri i Valdanos, i vendosur në bregun e Jugut të Malit të Zi dhe i njohur për bregdetin e tij me guralecë të rrumbullakët. Forma gjysmëhëne e tij përkon me një bukuri të ujit të kristaltë dhe gjelbërimit masiv të pishave stërmadhore që rrënjët e tyre vështirë se vjetërsohen nga dashuria që pikon për këto pjesë natyrore. Prandaj, duke e parë atë nga lart duket se gjiri izolohet nga njëra anë dhe pothuajse dëshiron të frymojë i vetëm në një vijë bregdetare shkëmbore që dhuron një performancë të lezetshme e cila pason nga lëkundjet e vogla të cilat rrëqethet e shpirtit dhe trupit i zgjon nga balanca stabile.
Pas gjirit të Valdanosit, pak metra më poshtë ndodhet Ullishtja e Valdanosit që konsiderohet si monumenti më i madh i ullinjve në Mal të Zi, ka një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike dhe ekologjike. Duke ecur përgjatë këtij vendi dallojmë një rrugë kalldrëmi që këndshëm vie në pah edhe në mesin e 18 mijë pemëve ulliri prej rreth 800 vjetësh dhe drunjëve më të vjetër se dy mijë vjet, të cilët janë të rritura në një zhvillim interesant dhe sjellin një përshtypje se dëshirojnë ti afrohen tokës duke i’u ‘përulur’ me shtrembërimin e veçantë rrotullues dhe të vrazhdë të tyre, me ç’rast kthehen edhe në një burim individual të frymëzimit për krijime artistike apo edhe vetëm për një soditje të momentit.
Si zakonisht në qytetin e Ulqinit, përjetimi i kënaqësisë verore nga të rinjtë ndodh në ‘Bamboo May Fest’, në hotelin Otrant, por që në këtë vit ky organizim është i pamundur për shkak të rrethanave pandemike. Këtë e ka bërë të ditur artisti vendor i njohur si ‘’Mr.Cool’’, në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme.
Prandaj, në vend të këtij festivali i cili organizohet nga Bamboo Bar dhe Hotel Otrant, u zhvillua ‘Vikend i Kënaqësisë’, i cili shënoi fillimin e verës nën muzikën e tingujve dhe melodive shqiptare për të vazhduar me rrymat e ndryshme të cilat pasuan në një natë të çmendur të botës magjike muzikore.
Reflektimi i skenës gjigande boshe dhe dritave rozë po i vinin në pah pemët e vendosura mbi barin e hotelit që ndodhej buzë detit dhe valëve të cilat kryeveprën e tyre e mbyllën në një guacë të vogël për ta zëvendësuar atë me kulminacionin e këngëve që mizorisht po goditnin atmosferën e gjallë që pasonte me kërcime e buzëqeshje të shumta por krejtësisht të shkujdesura nën aromën dhe jehonën e detit.
Po ashtu, përgjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, si trashëgimi kulturore e këtij vendi janë edhe muzika, hotelet, restorantet, kafenetë dhe diskotekat që përkojnë qytetin dhe të cilat gjatë verës janë gjithmonë të mbushura plot duke kaluar edhe kapacitetin e menduar. Netët e gjata nën shoqërimin e pijeve dhe ushqimeve tradicionale të cilat e karakterizojnë Ulqinin si vend bregdetar dhe mesdhetar janë mjaft të dalluara e sidomos me kulturën mesdhetare diversive. Pra, kuzhina e shëndetshme mediterane ka sjellë një laramani karakteristike mesdhetare.
Kështu, krejt në fund, pas ecjes përgjatë shtigjeve të ngushta në male të thepisura, tufave të kafshëve të cilat tashmë janë të zakonshme në Ulqin, maleve të larta dhe peizazheve të mrekullueshme kemi arritur të përjetojmë një përzierje të kulturës tradicionale dhe moderne që tërheq udhëtarë të shumtë në një ndjenjë të thellë që pasqyron botën e brendshme dhe të jashtme të këtij vendi përmes së cilit përjetohet përplasja melankolike dhe sentimentale e cila shpalos një burim kreativiteti ku misticizmi dhe imagjinata gdhenden si një daltë në kujtimet e çdo kujt.
Perëndimi mbresëlënës i diellit që u përhap afër kufirit të Ulqinit, ka hedhur krahët në një mbizotërim të përhershëm të kujtimeve me pamjen e shkëlqyer të gërshetimit mes ngjyrës së kuqe dhe portokalli, një ndezje e papritur spektakolare e cila vulosi fundin e këtij udhëtimi.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, ne patëm rastin të lëvizim nëpër hotele, restorante dhe plazhe të ndryshme si: Hotel Cruzer, Hotel Albatros, Hotel Palata Venezia, Hotel Mediteran, Eneida Apartments, Hotel Platinium, Hotel Lajka, Hotel MonteFila, Hotel Otrant, Hotel Llolla, Restoranti Higo, Taphana, Teuta dhe Barakuda, Plazhi Copacabana dhe Cabo.
Ndërsa, në fund të këtij udhëtimi, kryetari i Komunës së Ulqinit Aleksander Daboviq, në një prononcim për media ka falënderuar dhe uruar mirëseardhjen e gazetarëve, kameramanëve, redaktorëve dhe të pranishmëve nga Kosova.
“Ju jeni mysafirët e parë që vini në Ulqin në një numër kaq të madh pas një viti të vështirë për të gjithë globin. Populli ynë thotë se dita e mirë duket në mëngjes, e nisur nga mysafirë që kanë ardhur gjatë këtyre ditëve duke e llogaritur si një sezon të suksesshme për të gjithë”, thotë Daboviq.
Sipas tij, nuk ka dyshim se Kosova është dhe do të jetë një nga tregjet më të rëndësishme për shkak të lidhjeve vëllazërore, farefisnore, shoqërore e të tjera. Po ashtu, është e ditur se një numër i madh i kosovarëve tashmë janë banorë të Ulqinit, me shtëpitë dhe banesat e tyre, jo vetëm gjatë stinës së verës por edhe gjatë dimrit.
Aktivitet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’, Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës dhe Organizata Turistike e Ulqinit, në veçanti drejtori Gëzim Hajdinaga, i cili ishte bashkudhëtar dhe i pranishëm gjatë gjithë kohës të këtij rrugëtimi duke ofruar të dhëna dhe fakte interesante për secilin vend të vizituar.
Qyteti i Ulqinit është një qytet 2500 vjeçar dhe konsiderohet si më i vjetri i Mesdheut, një thesar i Malit të Zi dhe një bërthamë multikulturore që posedon një pasuri të madhe historike dhe natyrore. / KultPlus.com