Relievi i Nikes, udhëtim virtual në një nga thesaret e Muzeut Historik Kombëtar

25 Prill, 2020 - 10:43 pm

Muzeu Historik Kombëtar ka pasqyruar përmes një video një nga thesaret që mbart ky muze,  relievin me figurën e Nikes, Perëndeshës së Fitores, gjetur rastësisht nga Ugolini, në bregun pranë derdhjes së kanalit të Vivarit, gjatë vitit 1928-1929. Ky reliev sipas studiuesve dyshohet se mund të lidhet me një monument ende të pazbuluar.

Stili, punimi dhe lloji i veçantë i mermerit dëshmojnë për prejardhjen atikase të relievit që datohet në gjysmën e dytë të shekullit V para Krishtit.

Relievi paraqet Niken, perëndeshën e fitores, me qëndrim triumfal dhe me flatra të hapura. Dora e majtë e saj mbështetet mbi tropajon, shenjë e fitores, formuar nga parzmore armike vendosur mbi shkëmb. Dora tjetër mban palat e hitonit, derdhur hijshëm mbi trup në stilin e skulptorit të famshëm athinas të shekullit V para Krishtit, Fidias. Skena vazhdonte në të dy anët e pllakës duke qenë pjesë e frizit të një monumenti, siç tregojnë pjesët anësore për kapjen me ganxha metalike dhe plumb. /KultPlus.com

Të ngjajshme