4 Tetor, 2022 - 8:00 pm
Rembrandti apo me emrin e plotë Rembrandt Harmenszoon van Rijn, i lindur më 15 korrik 1606 në Leiden, Holandë, ishte piktor holandez, i konsideruar si një nga tregimtarët më të mëdhenj në historinë e artit, me aftësi të jashtëzakonshme për t’i paraqitur njerëzit në disponimet e tyre të ndryshme, sipas Enciklopedisë Britanike.
Rembrandt njihet gjithashtu si një piktor i dritës dhe hijes dhe si një artist që favorizonte një realizëm të pakompromis që do t’i shtynte disa kritikë të pretendonin se ai preferonte më shumë të shëmtuarën sesa të bukurën.
Në fillim të karrierës së tij, Rembrandti pikturoi kryesisht portrete. Përafërsisht një e dhjeta e veprës së tij të pikturuar dhe të gdhendur përbëhet nga studime të fytyrës së tij, si dhe autoportrete më formale, një fakt që ka çuar në shumë spekulime.
Thelbi i veprës së Rembrandt-it, megjithatë, përbëhet nga pjesë historie biblike dhe në një masë shumë më të vogël historike, mitologjike dhe alegorike, të cilat ai i pikturoi, gdhendi ose skicoi me laps, bojë ose shkumës.
Ndryshimet në stilin e Rembrandt janë të jashtëzakonshme.
Qasja e tij ndaj kompozicionit dhe përkthimi i tij i hapësirës dhe dritës, formës dhe ngjyrës, penelata dhe trajtimi i vijës dhe tonit i nënshtrohen gradualisht transformimit, qoftë edhe brenda një vepre të vetme.
Gravurat e tij të pazakonta i sollën famë ndërkombëtare gjatë jetës dhe vizatimet, që në fakt u bënë si ushtrime praktike ose si studime për vepra të tjera, u mblodhën gjithashtu nga artdashësit bashkëkohorë.
Sipas mitit që evoluoi pas vdekjes së tij, Rembrandt vdiq i varfër dhe i keqkuptuar.
Është e vërtetë se në fund të jetës së tij realizmi i tij ishte zëvendësuar nga klasicizmi.
Megjithatë, reputacioni i tij ndërkombëtar midis njohësve dhe koleksionistëve vetëm sa vazhdoi të rritet.
Disa artistë në Gjermani dhe Venecia, gjatë shekullit XVIII, adoptuan stilin e tij.
Ai u nderua gjatë epokës romantike dhe u konsiderua si një pararendës i lëvizjes romantike.
Që nga ajo pikë ai u konsiderua si një nga figurat më të mëdha në historinë e artit./KultPlus.com