17 Maj, 2022 - 1:29 pm
Era Berisha
Vlora dhe Durrësi, dy qytetet e vjetra shqiptare të cilat me mrekullitë e tyre hyjnë thellësisht në rrënjën e qenies së njeriut, ngërthejnë në vete artin e rilindjes së antikitetit klasik dhe një histori që jo lehtë harrohet. Të ndryshme në pamje por të ngjashme në thelb, këto dy qytete shqiptare të cilat i vizituam këto ditë, të rrëmbejnë vëmendjen për të mos e lëshuar atë nga bukuritë e rralla natyrore, vlerat kulturore dhe vijat bregdetare nga më hijshmet ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Rruga Tërthore (Kukës) dhe Kolsh (Kukës), në rrugën e gjatë që ishte planifikuar për në Vlorë, ishin vendet e para të cilat kapën vëmendjen e gjithsecilit qysh në sekondën e parë kur pamjet unike të gjelbërimit në intensitete të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, kapluan gjithë spektrin e syrit tonë. Malet gjigande të shtrira në dimensione të ndryshme ku disa nga to ishin të mbuluara ende me dëborë e njëkohësisht të pasura në pamje, shtriheshin në një horizont i cili nën qiellin e kaltër dukej se po hynim në një vend përrallor që zbukuronte dhe vetë qenien e njeriut.
Në një mot të nxehtë por të përballueshëm, dielli i pranishëm rrezatonte mbi tokat e punuara si dhe mbi fusha të cilat dukshëm dëshmonin për një bujqësi të rrallë e tejet të veçantë. Së bashku me natyrën e cila posedonte një pamje të pakrahasueshme më vete, shtigjet e vogla, lulet e ndryshme në dukje e ngjyrë, fshatarët në zonat malore të cilët qysh herët shiheshin të punonin në arrat apo dhe oborret e shtëpive të tyre, ishin disa nga detajet e mrekullueshme të kulturës bujqësore. Ndërkaq, shkëmbinjtë e mprehtë, liqenet dhe lumenjtë që rrjedhin përgjatë drejtimit të tyre të shumanshëm, po rrumbullakonin një peizazh që nuk do të mund të shkrihej më së miri as edhe në ngjyrat e pikturave më autentike impresioniste.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Vlorës na bëri që vrojtimi ynë të merr kahje në drejtime të ndryshme. Për aq sa mund të shihnim, qyteti i cili përballë bregut të detit kishte të vendosur një numër të madh të kafeneve dhe restoranteve të populluara me tarrace, pallate kryesisht të bardha e të ndritshme, shtëpi me fasada tërheqëse, hotele nga më të ndryshmet si dhe natyrisht deti i cili është shoqëruesi i përjetshëm i qytetarëve vlonjat të cilët mes palmave gjigande dhe një trotuari jashtëzakonisht të gjerë, kanë mundësinë të shijojnë një pamje, qoftë ulur apo në këmbë në një ecje që po të duash, dukej se asnjëherë nuk do të kishte një fund.
Një udhëtim në këmbë përgjatë bregut të detit, në zallin e ngrohtë dhe të butë është si një rrugëtim nëpër një qetësi hyjnore. Zhurma e valëve të lehta, era e ëmbël që futet këndshëm në shoqërinë tënde dhe mungesa e popullaritetit, të bënë që të ndjehesh sikur je i vetmi person që ka mundësinë e të shijuarit këtë perspektivë që rrallëherë ndodh. Një atmosferë e cila shijon ndryshe kur prezenca jote nuk ndërlidhet me asgjë tjetër përpos karakteristikave që elementet e lartpërmendura ofrojnë, do të ishte ajo e cila qetëson shpirtin dhe trazon kreativitetin e secilit njeri në cilëndo fushë të mundshme.
Bashkë me diellin i cili ngadalë po fillonte të zbriste dhe cicërimin e zogjve që krijonin një harmoni melodish, për të hapur sezonin veror për këtë vit, të pranishëm në konferencën e parë për mediat nga Kosova ishin: administratori i ‘Marina Bay’ Besmir Lula, menaxheri i ‘Barileva Turist’ Petrit Riza, kryetari i shoqatës së turizmit ‘Arta’ Ervin Sota, themeluesi i platformës “TripToAlbania” Azem Bujupi, konsulle e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Ishin çështjet rreth vlerave turistike, përgatitjes më profesionale, risive e ofertave turistike, eksplorimit të botës nënujore të Vlorës, planit strategjik që diaspora të vijë në Shqipëri, rëndësisë ndaj profesionalizmit të shërbimit së porteve detare e malore, relievit fushor e malor, detit Adriatik e Jon, Karaburunit, Ishullit të Sazanit, brigjeve të pafundme të Vlorës, kulinarisë, promovimit të turizmit në nivel nacional, potencialit shumë të madh të zhvillimit të turizmit, problematikat e pandemisë dhe të turizmit në trevat jugore, lumit të Vlorës, Kalasë së Kaninës, Majës së Llogorasë si dhe Manastirit në Lagunë, ato që u shqyrtuan në mesin e tyre në mënyrë që Vlora të shndërrohet në shtëpinë e dytë të atyre që vizitojnë atë në këtë sezon.
Pas një ore, tashmë perëndimi i diellit kishte kapluar gjithë hapësirën e qiellit dhe detit për t’i bashkuar ata në një ndërlidhje të jashtëzakonshme në ngjyrë portokalli. Si një copëz magjie, dielli ngadalë u zhduk në përjetësinë e tij për të lënë gjurmë në kujtimet e secilit njeri të pranishëm, teksa meloditë e muzikës italiane vazhduan në sfond duke sjell kështu një ëmbëlsi shtesë të atyre çasteve.
Tani, nisja për në qytetin e Durrësit na zuri në një kontrast krejt ndryshe. Nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, vëzhguam qytetin e vendosur në brigjet e detit Adriatik i cili përpos historisë të veçantë që posedon, imazhet e shfaqura të jo vetëm banesave që shtriheshin njëra pas tjetrës por edhe të detit i cili në kaltërsinë e tij përqafonte bregdetin në tërë portin e pasur të tij, që janë dy nga karakteristikat e këtij qyteti.
Stile të ndryshme arkitekturore që portretizojnë periudha të ndryshme të ndikimit si ato ilire, greke, romake dhe italiane janë dukshëm të dallueshme në secilin cep. Tani, qyteti ngërthen në vete një stil modernist i cili me blloqet e mëdha, ndërtesat moderne, qendrat tregtare dhe hapësirat e gjelbra të japin përshtypjen se jeta historike e Durrësit ndryshon vazhdimisht. Por veçantia e këtij qyteti është padyshim Muzeu Arkeologjik i cili është i vendosur pranë plazhit. Mure bizantine të shekullit të gjashtë, artefakte nga zona antike e Dyrrachium, koleksioni i gjerë nga periudha ilire, greke e lashtë, helenistike dhe romake, stela romake funerale, sarkofagët prej guri, mozaik eliptik shumëngjyrësh, koleksion bustesh e shumë të tjera, përshkojnë muret e pjesës më të madhe të Muzeut.
Po ashtu, shijimi i ushqimit tradicional, atij detar dhe italian në restorantet me pamje brilante, ecjet nëpër bregun detar mbi rërë, dashamirësia e durrsakëve, plazhet e shumta dhe imazhet piktoreske të cilat të shfaqen papritmas që nga mëngjesi e deri në mesnatë, përthekojnë disa nga veçoritë e përsosura dhe tiparet dalluese të këtij destinacioni bregdetar dhe kulturor.
Për shkak të historisë së tij të gjatë, Durrësi konsiderohet të jetë natyrshëm i mbushur me vende dhe gjetje arkeologjike të lashta, duke përfshirë amfiteatrin e famshëm të perandorit romak Hadrian, kapaciteti prej 15,000 vendesh e bënë atë amfiteatrin e dytë më të madh në Ballkan. Po ashtu, është një vend fantastik për adhuruesit e historisë dhe artit ku përtej Muzeut Arkeologjik, vizitorët mund të eksplorojnë Muzeun Etnografik, i cili ishte shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu si dhe Galerinë e Arteve në qendër.
Kudo që sheh përreth është thjeshtë mahnitëse. Ky vend gjithandej është një mrekulli më vete.
Ishte spektakli i shiut ai i cili vulosi fundin e këtij udhëtimi teksa prekëm kufirin në Shqipëri. Nën piklat e shpeshta që binin në xhama, reflektuam mbi gjithsej dy netët e kaluara në dy vendet më të bukura shqiptare dhe jo vetëm.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të mirë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në hotelet si: Kraal Hotel (Vlorë) dhe Adriatik Hotel (Durrës). Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga platforma ”Trip to Albania”.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga “Trip to Albania” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. / KultPlus.com