Reportazh: Vuno, një mrekulli e fshehur në jug të Shqipërisë (FOTO)

30 Prill, 2018 - 10:02 pm

Gili Hoxhaj

Rrugëtimi drejt Shqipërisë rëndom të jep ndjesinë e zhytjes drejt një thesari që bart brenda shumë bukuri që presin të zbulohen. Ata që ia mësyjnë Jugut të këtij vendi, nuk mund ta kenë vetëm një destinacion, bukuritë drejt kësaj zone të ftojnë drejt shumë ndalesave për t’i shijuar pamjet e bregdetit e maleve të larta. Rruga drejt atje nuk është dhe shumë e lehtë, kthesat duket se janë të pambarueshme e qielli duket shumë afër. Ata që duan të zbresin në Himarë, domosdo kalojnë përmes fshatrave të ndryshëm.

Arkitektura e njërit nga fshatrat e kësaj zone, të fton drejt eksplorimit. Kafenetë qëndrojnë buzë rrugës por shtëpitë e banorëve qëndrojnë jo shumë afër këtyre kafeneve. Është Vunoi, fshati që është i pozicionuar në bregun e detit Jon, që rri në shpatullat e malit të Mjegulloshit. Vuno është një thesar prej të cilit vizitorët do të marrin më të mirën, në çdo gur lexon një histori të kësaj pjese e duket sikur nuhat rezistencën e lashtësisë, që rri në muret pa dritare. Në çdo skutë të ndërtesave mund ta shihje fshatin mes këndeve të ndryshme, cdo derë drejt se cilës hyje të nguliste një pamje të këtij vendi.

Pjesa e sipërme e fshatit duket sikur një botë në vete. Një botë drejt së cilës çdo kush ëndërron të ikë, të paktën një herë në jetë, të paktën në njerën nga katër stinët. Drita e diellit duket sikur ruan dritaret e shtëpive prej guri, andaj mbrojtëset e dritareve kanë një bukuri në vete mes ngjyrave të drunjta e atyre më të ndezura. Drita e diellit edhe e bën edhe më të theksueshme bukurinë e këtij fshati. Harqet dhe qemerët e mbuluara me gjethe japin një ndalese hijeje. Këmbët herë ngjiten me më ngadalësi e herë rrëshqasinnë rrugët e kalldërmta.

Ani pse rruga herë-herë duket e mundimshme, bukuria në çdo skutë të fshatit, domosdo të bën të ndalesh e të shijosh secilin gur e secilën ndërtesë, një pjesë e tyre edhe me gjurmë të thella të rrënimit kanë një bukuri që duket sikur flet mbi atë se si e bukura i reziston edhe shkatërrimit. Gurët ishin të fortë, por jo edhe gjithçka në këtë pjesë, në çdo vend mund ta zësh veten duke e shijuar qoftë edhe trëndafilat ngjyrë të ndezur, që diku edhe janë tkurrur nga dielli i fortë.

Përveç zhurmës së punëtorëve lart, e zhurmës së zogjve poshtë në këtë fshat, gjithçka dukej që qëndronte e heshtur në bukurinë e vet. Shtëpitë e gurta qëndrojnë afër njëra-tjetrës dhe larg zhurmës së veturave. Ishin disa pjesë të fshatit që e thyenin lashtësinë e ndërtesave, kjo tregonte se kjo zonë ishte në restaurim, gjë që iu ngjallte shpresat banorëve për të takuar edhe më shumë turistë viteve që vijnë. Këto rrugë të kalldërmit, për disa prej banorëve janë edhe oborr, andaj dalja e tyre në ballkon shpesh i bën që papritur ta takojnë ndonjë nga banorët a vizitorët e kësaj pjese. Në këtë pjesë të fshatit nuk e gjen as një dyqan, as një kafene, por gjen njerëzit që me dashuri t’i shërbejnë ato.

Afërsia mes ndërtesave që nuk dallojnë shumë nga njëra tjetra, të jep ndjesinë e një bashkëjetese në harmoni. “Këtu jeta është e bukur”, shumica e banorëve me këtë fjali e përkufizojnë jetën e përditshme mes gjelbërimit, detit, mes flladit të natyrës, ndërtesave prej gurit dhe nxehtësisë së diellit.

Një nga gratë e kësaj ane duhet të ecën mbi shumë gurë që të dërgojë bukën e gjërat e tjera ushqimore deri tek shtëpia e saj. Kur fëmijët nisen për në shkollë, me ta duhet të shkelë në gurët që të dërgojnë poshtë rrugës dhe ta bëj të njëjtën rrugë kur ata të vijnë. Ajo e ndjen bukurinë e këtij ritmi të jetës, ani pse ecja tri herë në ditë në këtë rrugë nuk duket të jetë e lehtë.

“Këtu të bësh vetëm pesë orë ditë në gjumë, është e mjaftueshme”, shprehet ajo. Kjo tregon se si ky fshat ia ka dhuruar prehjen e shpirtit, se si vet jeta këtu ia plotëson nevojën e gjumit.
Rrobat e varura për tu tharë, tregojnë së numri i banorëve nuk është dhe i madh, madje, sipas banorëve shumë prej tyre e kanë braktisur këtë vend. Nëse shikohet madhësia e rrobave që qëndrojnë të varura jashtë shtëpive, kuptohet mungesa e të rinjve e fëmijëve. Më së shumti takon njerëz në moshë më të shtyrë por që pamjen e kanë tejet të freskët. E tillë është dhe Vasilika Kongjik, një grua e thinjur e bujare që i buzëqesh çdo kalimtari qe kalon pranë shtëpisë së saj. Me plot bujari sjellë shishen me ujë të freskët e mbush gotat plot. Duart i ka plot bonbone të ëmbla që i dhuron me buzëqeshje. Ajo nuk e kthen asnjë mbrapa, i zbraz duart e t’i dhuron me shkëlqim në sy. Ajo ka jetuar me vite në Greqi, prej nga është larguar që nga ditët e para të pensionimit, për të kaluar këtu pjesën e mbetur të jetës, pasi që është i vetmi vend që i jep qetësi.

Është Festivali South Outdoor ai që i ka sjellë ngjyrat e gjallërisë kësaj pjese, e që disa prej banorëve i ka bërë kureshtar për të zbritur poshtë tij. Me buzëqeshje të fëmijëve, zhurma të biçikletave, të lojërave të ndryshme, mes qetësisë së yogas, ngjyrave të pikturave u manifestuan tri ditë të festivali që kishin përfshirë edhe shumë fshatra të tjerë të kësaj zone. Ky festival i ka bërë bukuritë e këtij fshati, pjesë të kujtimeve të shumë vizitorëve të huaj e shqiptarë.

Brenda pjesës së poshtme të fshatit, duhet jo dhe pak përpjekje për të gjetur një vend për parking. Tendat e vendosura në njërën anë flasin për interesimin që ka zgjuar ky festival i organizuar nga GIZ, e që në Vuno shënoi edicionin e dytë të tij. Njerëzit që ka mbledhur ky festival, reagojnë me qetësi e buzëqeshje e rrallë qëndrojnë në një pozitë të vetem, disa prej tyre janë zhytur në një hapësirë më të thellë eksploruese të kësaj zone.

Vërehej dukshëm që njerëz jashtë festivalit, i janë bashkangjitur atij në natën e dytë. Aleksandër Gjoka, Elton Deda e Redon Makashi ishin emrat që krijuan natën kulminante të këtij festivali dhe njërën nga mbrëmjet më të bukura që kanë ndodhur në këtë fshat. Terri tashmë kishte fshehur bukurinë e fshatit por të ndjekur rrugën drejt dritave që zgjateshin, të dritave drejt skenës që po mirëpriste këngët që do të deshifroheshin në emocion e kënaqësi të rrallë.


“Unë i pasur s’jam vërtetë por në ëndërr e shoh veten mbret”, ishte vargu që çdo kush e ka dëgjuar, ishte vargu që fuqishëm vinte nga ngjyra e rrallë e zërit, e atij që në muzikën shqiptare po dëshmon që është vështirë i tejkalueshëm. Mosha nuk ia ka zbehur fuqinë e skenës, as afërsinë me publikun. “As rrufetë s’më vrasin dot se ka një Zot”, vinte përmes zërit të tij dhe njërit gisht që ngrihej. Me një afërsi të rrallë dukej sikur i këndonte çdo njeriu që gjendej aty, çdo njeriu që i ka dhënë emocion përgjatë viteve.

Kush mund të këndonte me të, para tij dhe pas tij përveç EltonDedes dhe Redon Makashit të cilët sollën këngët e tyre hite. Ata ndër vite e kanë ushqyer publikun me muzikë sa që shumë prej të pranishmëve këngët e tyre i kishin brumosur brenda vetes. Ata i kanë kënduar dashurisë e urrejtjes, stinëve, pranimit të vetes e tjetrit. Mes këndimit e vallëzimit të kënges së Elton Dedës “Na lini të jetojmë”, publiku u shpërnda duke kënduar këngët e tyre mes qiellit që ndriqohej e duarve që ngriheshin drejt tij.

Ata që i kanë përjetuar këto ditë të South Outdoor Festival dhe ata që e kanë shijuar koncertin e “Tre muskutierëve”, do të presin gjithnjë për një kënaqësi të dytë të momenteve të tilla.
Për ata që e kanë vizituar Vunon, ai mbetet një mozaik i bukurive të përkufizuara në gurë, i njerëzve që jetojnë në prani të njëri-tjetrit dhe kanë lenë pjesën tjetër të fshatit të paprekur me shtëpi, por të pasur me bukuritë e ngjyrave të natyrës./ KultPlus.com















Të ngjajshme