Restaurim i 2 ikonave në laboratorin e Veprave të Artit në Berat

31 Janar, 2023 - 10:00 am

Ministrja e Kulturës, Elva MArgariti ka publikuar momente pune gjatë restaurimit të veprave të artit në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në DRTK Berat ku specialistët po kryejnë procesin e konsolidimit të pelikulit të pikturës së dy ikonave: ikona “Shën Maria mbi fron” e Gjergj Johan Çetirit dhe “Shën Maria mbi fron” e Kostandin Zografit.

Pas këtij procesi do të vijohet me pastrimin e ikonës, duke nxjerrë në dritë dy kryevepra të trashëgimisë kulturore.

“Shën Mëria mbi fron” me autor Gjergj Johan Çetirin ka prejardhje nga Kisha e Shën Thanasit, Karavasta, Lushnjë dhe ikona “Shën Mëria mbi fron” me autor Kostandin Zografin ka prejardhje nga fshati Vanai i Fierit.

Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi, do të bëjnë të mundur nxjerrjen në dritë të këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi të një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore. Këto ikona janë pjesë e fondit të DRTK-Berat. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme