Restaurim për kishën e Shën Todrit në Arrëz, e pikturuar nga vëllezërit Çetiri

26 Shkurt, 2025 - 12:30 pm

Kisha e Shën Todrit është Monument Kulture, Kategoria I, do i nënshtrohet restaurimit. Kisha ndodhet në veri të fshatit Arrëz, në afërsi të qytetit të Lushnjës.

Kisha e Shën Todrit i përket periudhës pas bizantine e tipit bazilikal. Ajo daton në shek. XIX, e pikturuar në vitin 1801 nga vëllezërit Çetiri.

Në vijim të inspektimit në terren, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po hartojnë projektin e restaurimit të kishës, i cili do të fokusohet në disa ndërhyrje, ku përfshihet restaurimi i plotë i çatisë; injektime, restaurime dhe konsolidime në muraturë; restaurim i dyshemesë prej druri, kati i dytë i narteksit; realizimi i sistemit të drenazhit përreth kishës; restaurim i suvasë brenda dhe jashtë etj.

Me rëndësi është edhe restaurimi i pikturës murale, ikonostasi si dhe i tavanit të drurit të dekoruar në naos, krejt i veçantë në llojin e tij.

Kisha e Shën Todrit mendohet të jetë e dyta për nga vjetërsia pas manastirit të Ardenicës. Ndryshe nga shumë kisha të Myzeqesë, këtu pjesët përbërëse, naosi, narteksi dhe hajati, janë të dalluara nga njëra-tjetra. Naosi është i tipit bazikal, me përmasa të brendshme 14×8,40 m, i ndarë nga dy radhë kolonash druri në tre nefe. Naosi është i pajisur me tavan dërrase, i cili përmban në pjesën qendrore një thellim të imitimit të kupolës qendrore. / KultPlus.com

Të ngjajshme