19 Prill, 2022 - 3:30 pm
Kalaja e Bashtovës është një prej xhevahireve të trashëgimisë kulturore shqiptare që do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë.
Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, bën të ditur se, falë programit EU4Culture, financuar nga BE dhe implementuar nga UNOPS, Kalaja e Bashtovës do të restaurohet sipas teknikave më bashkëkohore, duke ruajtur të veçantën dhe historiken e saj.
Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.
Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./ atsh / KultPlus.com