7 Shtator, 2018 - 9:10 am
Kisha e Labovës së Kryqit më e vjetra në Shqipëri dhe ndër më uniket në të gjithë botën bizantine përfundoi vitin e kaluar punimet restauruese.
Ndërhyrja konsistoi në fasadën e jashtme, lehtësimin e peshës së kupolave, çatinë e objektit dhe ndërhyrjet për zbulimin e pastrimin e pikturës murale.
Një vit pas përfundimit të ndërhyrjes lagështia në mjedisin e brendshëm të objektit ka rikthyer punimet në çatinë e objektit, ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës nuk ka asnjë shpjegim për këtë ndërhyrje. Drejtori Albert Kasi tha se nuk ka dijeni rreth situatës së objektit dhe se nuk po kryhen punime të tjera restauruese.
Sipas banorëve në Labovë, kisha nuk ka shpëtuar nga problematika e lagështisë. E gjithë periudha e reshjeve ka vijuar ta kërcënojë objektin e restauruar një vit më parë. Mjeshtrit lokalë jashtë kamerave flasin për cilësi të dobët të tjegullës dhe pllakës që mbuloi objektin si dhe për punime me cilësi të dobët dhe restaurim të nxituar.
Kisha e Labovës së Kryqit e vendosur në fshatin me të njëjtin emër në Gjirokastër prej vitesh ishte e ekspozuar ndaj një rreziku evident shembjeje.
Kupola kryesore e kishës që është duke jetuar “efektin e Pizës” arriti të stabilizohej pas ndërhyrjes restauruese, por probleme të tjera duket se ju shfaqën objektit pas restaurimit.
Vizitorët e shumtë kësaj vere janë befasuar prej pikturës origjinale, ikonostasit, madhështisë së kupolës 17 m të lartë dhe qasjes origjinale në raport me mjedisin natyror e gjeografik të Labovës./TCH/ KultPlus.com