19 Prill, 2022 - 10:00 am
Në kishën e Shën Mërisë, në ishullin Maligrad po vijon puna për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.
Restaurimi i çatisë në kishën e Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad do i kthejë identitetin këtij monumenti të kulturës ku nuk ishte vënë dorë prej 50 vitesh.
Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se restaurimi i kishës së Shën Marisë në ishullin Maligrad dhe rehabilitimi i shtegut panoramik, një prej pasurive kulturore më të rëndësishme në rajonin e Prespës, për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore.
Ajo shprehet se ky projekt po realizohet nga DRTK Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë Pustec.
Kisha e Shën Mërisë ndodhet ne liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit. E ndërtuar në shekullin XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore e cila ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.
Ishulli ka një gjatësi prej rreth 800 m e gjerësi rreth 200 m dhe rrethohet nga shpati shume të pjerrët e mahnitëse, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij dhe ka një bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, si dhe shpella.
Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas, ku për t’u futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve apo së fundmi edhe ato turistike. Udhëtimi me varka nëpër liqen është një tjetër kuriozitet për vizitorët e shumtë. Prespa në stinën e nxehtë tërheq pushues nga zona rreth saj për të bërë plazh në ujërat e liqenit, por edhe turist të largët që interesohen për historinë, kulturën, biodiversitetin për dhe për gastronominë e kësaj zone.
Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit./ atsh / KultPlus.com