Restaurimi i Kullës së Sulejman Vokshit, monument i trashëgimisë kulturore

28 Shkurt, 2025 - 1:45 pm

Kulla e Sulejman Vokshit në Gjakovë po restaurohet. Lajmin e dha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku. Ministri Çeku tha se para shumë vitesh, kishte nisur projekti i restaurimit me operator të papërgjegjshëm, duke lënë pasoja të shumta dhe duke shkaktuar vonesa të panevojshme.

“Tashmë, punimet do të bëhen në mënyrë profesionale, gjithnjë në respekt për vlerat e kësaj ndërtese që lidhet me një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare”, u shpreh në rrjetet sociale ministri Hajrulla Çeku.

Kulla e Sulejman Vokshit është një monument i trashëgimisë kulturore dhe gjendet në hyrjen e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Objekti është ndërtuar në fillim të shek. XVIII dhe ka rëndësi të madhe historike sepse aty u lind heroi ynë kombëtar Sulejman Vokshi, i cili ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Objekti ka vlera arkitektonike, është ndërtuar me tulla të pjekura, gurë natyralë, dru, llaç gëlqere, kurse mbulesa është me qeramidhe tradicionale. Objekti është në dy etazhe, e drejtuar në perëndim-jug, me dritare katërkëndëshe. Bodrumi gjendet mbi tokë dhe ka shërbyer për ruajtjen e ushqimit. Objekti ka pësuar disa transformime të vogla, sidomos në enterierin e brendshëm dhe në dyer e dritare.

Sulejman Vokshi ishte në vijën e parë të luftës për pavarësinë e plotë të trojeve shqiptare. Themeloi dhe priu, politikisht dhe ushtarakisht, Lidhjen e Prizrenit.

Në një hark kohor të shkurtër, nën drejtimin e tij, pushteti administrativ e ushtarak i Lidhjes së Prizrenit mundi të konsolidohej duke u shtrirë drejt Shkupit, Prishtinës, Mitrovicës, Gucit, Vuçiternës, Preshevës etj.

Në cilësinë e kryetarit të shtabit të forcave shqiptare, Sulejman Vokshi mori pjesë në luftën e zhvilluar kundër forcave osmane të Dervish Pashës, për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë. Shfaqi qëndresë të patundur ndaj pushtuesit osman, edhe pas shpërndarjes së qeverisë së Lidhjes. Në vitin 1885 organizoi në Kosovë kryengritjen e radhës kundër zgjedhës së huaj. Për aktivitetin e tij atdhetar, Gjykata e Jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje, vendim ky që nuk gjeti zbatim, pasi Vokshi u lirua nga burgimi.

Figura e tij u përjetësua jo vetëm në historiografi, por edhe në këngët popullore historike të asaj periudhe, dramaturgji etj./ KultPlus.com

Të ngjajshme