18 Qershor, 2020 - 9:04 am
Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit në Berat punohet çdo ditë me pasion dhe durim për nxjerrjen në dritë të thesareve të fshehura.
Ditët e fundit restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berat janë duke ndërhyrë në restaurimin e ikonave, “Lindja e Krishtit dhe “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.
Drejtori i DRTK, Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “janë dy ikona që janë pjesë e fondit që ka nën administrim DRTK, Berat. Specialistët e sektorit të artit të DRTK Berat pasi hartuan projektin morën aprovimin e miratimin nga Instancat e Këshillit Shkencor dhe Këshillit Kombëtar të restaurimeve”.
“Problematika e shfaqur në këto ikona është kryesisht në rënien e grundit, rënien e pelikulit dhe dëmtimin e panelit të drurit”, tha Kallfani.
Ai bëri të ditur se “fazat e ndërhyrjes konsistojnë fillimisht me konsolidimin e drurit, dezinfektimin e më pas integrimi piktorik. Restauratorët po bëjnë një punë të kujdesshme që vazhdon me javë të tëra deri në nxjerrjen nga emergjenca të këtyre thesareve të fshehura”.
“Aktualisht ndërhyrja është në fazën e konsolidimit të grundit dhe pelikulit”, shtoi Kallfani.
Restauratorët e DRTK, Berat kryejnë gjithmonë një punë të vyer, e cila shmang degradimin e mëtejshëm të ikonave si dhe rikthimin e imazhit ikonografik në bukurinë fillestare.
Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm. /atsh / KultPlus.com