Restaurohen pikturat murale në Katedralen ‘Zonja Ndihmëtare’ në Prizren

18 Korrik, 2017 - 2:15 pm

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, së shpejti do të filloj së realizuari projekti për restaurimin e pikturave murale të Katedrales “Zonja Ndihmëtare” në Prizren.

Pikturat murale të cilat e mbulojnë tavanin e katedrales, janë unike në Kosovë për nga tradita e pikturës perëndimore të cilat janë realizuar nga autor austriak, ku poashu përbëjnë një mozaik vlerash së bashku me stilin e ndërtimit të katedrales.

Fatkeqësisht, ky Monument me vlerë kaq të madhe kulturore dhe një objekt i rëndësishëm fetar, prej shumë kohësh nuk e kishte trajtimin e duhur, kështu si rezultat i kësaj kishte sjellë dëmtimin si në arkitekturë nga jashtë po ashtu edhe në interierin e saj. Pikturat prej shumë kohësh, kanë qenë nën ndikimin e shumë faktorëve shkatërrues e veçanërisht, të ndikimit të lagështisë e cila rrjedhimisht ka shkaktuar një zinxhirë të sëmundjeve të ndryshme të shtresave të pikturave.

Andaj me realizimin e këtij projekti kapital që financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe që do realizohet nga ana e këshillit konsultativ për punimet konservuese dhe restauruese, emra të njohur si prof. Pirro Thomo, restaurator i monumenteve të kishave Bizantine dhe Postbizantine në Shqipëri, prof.Frederik Stamati, restaurator – kimist pranë Qendrës së studimeve Antropologjike në Tiranë, prof. Ferid Hudhri, studiues pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë si dhe Zef Toshi, artist i popullit, do bëhen ndërhyrjet në pastrimin e sipërfaqeve nga pluhurat dhe papastërtitë, konsolidimi i ngjyrës, plotësimi i boshllëqeve por edhe rënies së suvas nga suporti, eliminimi i kripërave, qepjet e plasaritjeve si dhe ripikturimi në sipërfaqet e pikturave. / KultPlus.com

Të ngjajshme