Restaurohet ikona “Fjetja e Shën Marisë” nga muzeu “Onufri”

23 Dhjetor, 2022 - 8:54 am

Pas një ndërhyrjeje disamujore në laboratorin e Muzeut të Ikonografisë Onufri përfundoi restaurimi i ikonës “Fjetja e Shën Marisë”. Ikona me dimensione të mëdha, 111 x 68 x 3,2 cm, me autor anonim, është me preardhje nga kisha e Profet Ilias në lagjen Përrua. Ajo mendohet t’i përkasë fundit të shekullit të XIX.

Kjo ikonë paraqiste shumë problematika: dëmtim dhe mungesë grundi, kryesisht në perimetrin e poshtëm të veprës, plasaritje dhe çarje të suportit të drurit, abrazion të pelikulës piktorike, oksidim të vernikut si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme, dyll, bojra vaji, parafinë, blozë etj. Të gjitha këto rrezikonin degradimin e veprës duke mos bërë të mundur për më tepër leximin e qartë dhe të plotë të skenës ikonografike të realizuar me një fryme artistike shume ekspresive nga autori.

Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke parandaluar degradimin e saj dhe duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës.

Ikona spikat sigurisht për dinamikën shprehëse të skenës gati apokaliptike në gjysmën e poshtme si dhe dominimin e së kuqes dhe kontrastet e përdorura.

Kjo ikonë i ofrohet tashme e restauruar publikut të Muzeut të Ikonografisë Onufri duke pasuruar koleksionin e tij. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme