20 Korrik, 2020 - 11:00 pm
Ikona “Lindja e Krishtit” është restauruar duke nxjerrë në dritë vlerat e vërteta të kësaj vepre. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka vlerësuar punën e bërë nga specialistët e laboratorit të restaurimit të veprave të artit të DRTK Berat.
Ajo ka publikuar dy fotografi të ikonës para dhe pas restaurimit ku ndryshimi është i dukshëm.
“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauratorëve ka nxjerrë në dritë një tjetër thesar nga laboratori i restaurimit të veprave të artit të DRTK Berat”, është shprehur ajo.
Pas ciklit të virgjëreshës, prezantuar brenda dymbëdhjetë festave të mëdha bizantine, ikona “Lindja e Krishtit“ inauguron ciklin e Krishtit. Kjo ikonë i atribuohet birit të Onufrit, Nikollës, dhe ka qënë pjesë e Katedrales “Fjetja e Shën Marise” në Kalanë e Beratit.
“Lindja e Krishtit” bazohet në Ungjillin sipas Mateut dhe Lukës, por edhe në protoungjillin e Jakomos. Skenat poshtë sfondit të ikonës përfaqësojnë pamjen e jashtme të Betlehemit, ndërsa në qendër të kompozimit përshkruhet Lindja e bebes së mbështjellë me pelena, e cila duket se ka dalë nga një shpellë. /Atsh /KultPlus.com