21 Mars, 2024 - 3:00 pm
Pas një pune disamujore, kryer në laboratorin e Restaurimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, përfundoi ndërhyrja restauruese e ikonës “Shën Maria me Krishtin”, shek. XVIII, vepër e ateliesë së Tërpo Zografit.
Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e saj të dikurshëm dhe së shpejti do të ekspozohet për publikun e gjerë të Muzeut. Kjo ikonë është me origjinë nga fshati Pojan, Korçë. Ndërhyrjet konservuese që u kryhen në shtresën e gruntit dhe atë të pikturës: Largimi i depozitimeve të paqëndrueshme mbi sipërfaqe me anë të një peneli të butë në zonat ku kjo ishte e mundur.
Konsolidimi i shtresës të gruntit dhe pikturës u krye me tretësirë të ngrohtë xhelatine të tretur në ujë. Kjo u bë duke e shtrirë atë me penel të butë në gjithë sipërfaqen e veprës duke përdorur letra japoneze. Më pas u vendosën sërish disa shtresa me letra pambuku dhe u kalua sipër me spatulën e nxehtë që lidhësi të depërtonte sa me mirë dhe të siguronte qëndrueshmëri të gruntit dhe pikturës. Pasi përfundoi procesi letrat u hoqën me ujë të ngrohtë dhe pambuk hidrofil.
Heqja graduale e vernikut të oksiduar u bë me ethanol absolut 98%. Neutralizimi i veprimit të tretësit u bë me white spirit.
Mbetjet organike si dylli i qirinjve etj u hoqën në mënyrë mekanike me bisturi. U përdor eterpetroleum për heqje më të mirë të mbetjeve të tyre. U bënë ndërhyrje estetike në pjesët ku ishte dëmtuar piktura me ngjyra akuareli Rembrandt të prodhimit Talens. Ngjyrat u përzihen me Oxgall për të përmirësuar lidhjen.
Në fund u kaluan disa shtresa të holla verniku të kryqëzuara dhe në intervale 4-5 ditore nga shtresa në shtresë që të mund të thaheshin. U përdor venik damar mat i prodhimit Schmincke bashkë me vernik retouche po i këtij prodhimi./ atsh / KultPlus.com