24 Prill, 2023 - 6:30 pm
Muzeu i Hidroelektranës dhe Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, janë asete të trashëgimisë kulturore të cilat janë në procesin e restaurimit përmes projektit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, shkruan KultPlus.
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Maria Suokko, kanë vizituar këto lokacione për të parë së afërmi punimet në këto asete me rëndësi për trashëgiminë kulturore.
“Katedralja u ndërtua në fund të shekullit të 19-të dhe ka qenë objekti kryesor fetar i komunitetit katolik për rajonin e Prizrenit, ndërsa Hidroelektrana u ndërtua ndërmjet viteve 1926 dhe 1928 duke e furnizuar Prizrenin me energji elektrike deri në vitin 1973. Në vitin 1979 u shndërrua në Muzeun e Energjisë Elektrike.”, thuhet në njoftimin e MKRS në facebook.
Punimet restauruese në Katedralen”Zonja Ndihmëtare” kanë përfunduar, kurse punimet në Muzeun e Hidroelektranës janë duke vazhduar ende./ KultPlus.com