Restaurohet kisha e “Shën Ilias” në Gjirokastër, shkëlqen pas rrënimit të frikshëm të dekadave braktisje

26 Dhjetor, 2020 - 4:57 pm

Në fshatin Stegopull, Gjirokastër ka përfunduar restaurimi i kishës së “Shën Ilias”, një tjetër atraksion i shtuar për vizitorët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë e restauruar, e cila tanimë shkëlqen pas rrënimit të frikshëm të dekadave braktisje.

“Kënaqësi të ndaj me ju sot këtë xhevahir të shpëtuar nga zhdukja, kishën e bukur të Shën Ilias, në fshatin Stegopull, Gjirokastër, e cila tanimë shkëlqen pas rrënimit të frikshëm të dekadave braktisje”, tha Rama.

Restaurimi i kishës së “Shën Ilias” është një projekt i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe financuar nga buxheti i shtetit shqiptar me vlerën e 8 milion lekëve të reja.

Gjatë restaurimit u kryen ndërhyrje konsoliduese-restauruese në objekt dhe në piktura murale.

Kisha e “Shën Ilias” është konsideruar si një monument i trashëgimisë kulturore e kategorisë së I e cila është ndërtuar në vitin 1624.

Ky objekt tashmë përveçse i është kthyer komunitetit të zonës si një objekt i rëndësishëm për ta gjithashtu do të shërbej edhe si një atraksion turistik./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme