9 Janar, 2025 - 1:30 pm
Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.
Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.
Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.
Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.
Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./ KultPlus.com