3 Korrik, 2020 - 2:55 pm
Punimet për restaurimin e shtëpisë muze “Avni Rustemi” në bashkinë Libohovë kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit të qarkut dhe kryetari i bashkisë Libohovë inspektoi nga afër punimet që po kryen në shtëpinë muze “Avni Rustemi” në bashkinë Libohovë, në zbatim të projektit “CULTURAL LANDS”.
“Kjo banesë është një vlerë e shtuar për bashkinë Libohovë. Punimet restauruese kanë si qëllim rijetësimin e saj, për të pritur vizitorë vendas dhe të huaj”, tha prefekti Aliaj.
Prefekti tha se “restaurimi i kësaj banese përveç simbolikës është një apel për pushtetin vendor në mënyrë që investimet në vazhdim për këtë objekt dhe për objekte të tjera duhet të jenë prioritare, si një stimul jo vetëm për evokimin e kulturës, traditave dhe historisë sonë, por edhe për zhvillimin ekonomik të rajonit”.
Restaurimi po bëhet i mundur nga një financim prej 4 milionë lekë i akorduar nga Bashkimi Europian, ndërsa implementimi i projektit zbatohet nga Prefektura e Gjirokastrës.
Pas viteve ’90 godina, e cila kishte shërbyer si muze u rrënua. Restaurimi saj synon jo vetëm rikthimin e vlerave historike të shtëpisë muze, por edhe shndërrimin e godinës në një qendër të turizmit në zonën e Libohovës./KultPlus.com