26 Mars, 2025 - 2:30 pm
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se është hedhur një tjetër hap i rëndësishëm për ruajtjen e monumenteve të kulturës, me restaurimin e stacionit antik Ad Quintum.
Stacioni antik është një dëshmi e kulturës romake. Pas një procesi të plotë restaurimi, ky monument historik është rikthyer në gjendje optimale, duke ruajtur vlerat e tij për brezat e ardhshëm.
Ad Quintum është një kompleks arkitektonik i përbërë nga nimfeu dhe termet, i ndërtuar në shekullin II dhe i përdorur si stacion rrugor përgjatë Via Egnatia. Stacionet rrugore ishin vende pushimi, ku udhëtarët apo tregtarët, mund të ndalonin për kaluar natën.
Stacioni rrugor Ad Quintum ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kombëtare Elbasan-Durrës.
Ka një planimetri drejtkëndëshe, me sipërfaqe 130 m2, me këto mjedise: dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë, mjedisi i nxehtë, dhe ai me ujë të ftohtë. Në brendësi ishte dhoma e zhveshjes, që shërbente për lidhjen e mjediseve. Furnizimi me ujë bëhej me anë të kanaleve nga një depozitë mbi murin e nimfeut dhe largoheshin me një sistem tjetër kanalizimi.
Termet dhe nimfeu i Bradasheshit janë nga strukturat më të ruajtura romake në Shqipëri.
Ndërhyrjet restauruese përfshinë Konsolidimin e strukturave, qepjen e çarjeve me teknikën e injektimit, forcimin e muraturës me llaç horasan, rindërtimin dhe zgjerimin e catch së monumentit, realizimin e sistemit të drenazhit, pastrimin e fasadës nga depozitimet sipërfaqësore, pastrimin nga vegjetacioni në të gjithë territorin dhe vendosja e një tabele informuese./ KultPlus.com