Restauruesit në Berat nxjerrin në dritë ikonën ‘Joan Pagëzori’

14 Janar, 2022 - 1:39 pm

Pas shumë muajsh pune e pasion specialistët e laboratorit të restaurimit të veprave të artit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat përfunduan restaurimin e ikonës “Joan Pagëzori”.

E gjetur në kishën e Shën Kollit në fshatin Vanaj të Fierit me autor Kostandin Zografin ikona iu nënshtrua restaurimit në këto faza; konsolidimi i pikturës së ikonës, dezinfektim, pastrim, rivendosje vernikut për mbrojtjen e pikturës së ikonës.

“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauratorëve të DRTK-Berat ka nxjerr në dritë një tjetër thesar nga laboratori i restaurimit të veprave të artit të DRTK-Berat”, thekson DRTK Berat e cila ka ndarë edhe fotografinë e ikonës para dhe pas restaurimit.

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë. Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme