Reuters shkruan për historinë e dhimbshme të Saranda Bogujevcit (FOTO)

2 Gusht, 2017 - 9:20 pm

‘Të enjten Kuvendi i ri i Kosovës do të mbajë mbledhjen e parë, por ajo që është bërë çështje rutinë tash e 18-të vite që kur shteti i ri u largua nga Serbia, është edhe shënimi i një dite historike për një anëtare të asamblesë së Komunës së Prishtinës’, kështu Reuters nisë artikullin kushtuar të mbijetuarës nga masakra që iu bë familjes së saj, gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-99, Saranda Bogujevcit, shkruan KultPlus.

Agjencia e njohur botërore e lajmeve, Reuters, sot ka shkruar për historinë e dhimbshme të, Saranda Bogujevcit, e cila iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë një sulmi brutal të ushtrisë serbe, gjatë luftës së vitit 1998-99, në Kosovë.

‘Katër vjet më vonë, Saranda Bogujevci, 18 vjeçe në atë kohë, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe, të udhëhequra nga Slobodan Millosheviç’, vazhdon historinë Reuters.

Nesër më 3 gusht, Saranda Bogujevci, anëtare e partisë Vetëvendosje, do të bëjë betimin e saj, si deputete e re në Parlamentin e Republikës së Kosovës, duke premtuar se do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin në shtetin e vogël ballkanik.

‘Është e vështirë të kalosh nëpër këto përvoja dhe të shohësh qeveritë e Kosovës, që nuk po punojnë dhe nuk po e bëjnë më të mirën për njerëzit. Gjithmonë kam imagjinuar se si do të ishte Kosova pas 20 vjetësh. Unë kurrë nuk kam menduar se do të jetë kështu’, ka thënë Saranda për Reuters, gjatë një vizite te varret e familjarëve të saj, në Podujevë.

Familja e Bogujevcit u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si ‘Akrepat’. Viktima më e re ishte dy vjeçe. Pesë burra u burgosën për këto vrasjet dhe në vitin 2013, Saranda Bogujevci u kthye në Beograd, aty ku ajo kishte dëshmuar kundër tyre, për të organizuar një ekspozitë rreth vrasjeve në familjen e saj.

Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, u hap me 18 dhjetor, në Galerinë “Podroom” në Qendrën Kulturore në Beograd. Ekspozita nga Qendra kulturore në Beograd, ishte vlerësuar si një projekt me kontekst politik, por para së gjithash, një rrëfim për tragjedinë personale.

Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet. Ajo u kthye në atdheun e saj në vitin 2014 për të drejtuar Drejtorinë e Kulturës në komunën e Prishtinës.

“Të ballafaqohemi me luftën ishte shumë më e lehtë, sepse dinim se gjërat do të zgjidhnin mënyrën e tyre, sot është shumë e vështirë të pranosh dhe të gjesh një arsye për atë që po ndodhë në vend”, tha për Reuters Bogujevci.

‘Unë e dua jetën, por në të njëjtën kohë mendoj se kam një detyrim moral ndaj Kosovës, Anglisë dhe ndaj njerëzimit për të bërë diçka në bazë të asaj që kam përjetuar’. / KultPlus.com

Të ngjajshme