11 Korrik, 2018 - 8:00 pm
Revista e njohur në fushën e turizimit “Islands” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke e renditur atë në krah të kryeqendrave botërore më trendi të turizmit, si Tajlanda, Kuba apo ishulli i Balit.
“Islands” thekson se Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla të Ballkanit. Ajo vijon të shkruajë se kryeqyteti është vibrues, i ri dhe me plot gjëra të cilat të bëjnë ta harrosh ndjesinë e mërzitjes.
Kjo revistë turistike përmend si pika atraktive sheshin “Skënderbej”, xhaminë e Et’hem Beut, Operën, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Historik, Galerinë e Arteve dhe Bllokun, duke e cilësuar këtë të fundit si një vend “cool”.
Më poshtë, shkrimi “Tirana, qyteti që nuk fle kurrë”
Ngjyra, muze dhe lokale që të heqin trurin… Kështu i mirëpret vizitorët e saj Tirana. Shqipëria cilësohet si “Zbulimi i Vitit” dhe qëndron krah Kubës apo ishullit të Balit.
Një qytet vibrues, i ri dhe plot me gjëra për të bërë dhe për të parë, ku vështirë se mërzitesh ndonjëherë. Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla të Ballkanit. Turi nuk mund të nisë nga ndonjë vend tjetër veç Sheshit “Skënderbej”, i rikonstruktuar së fundmi dhe kushtuar Heroit Kombëtar, i cili në vitet 1400 mbrojti Shqipërinë dhe Perëndimin nga sulmet e perandorisë Osmane.
Si për ironi të fatit, dy hapa larg statujës së Skënderbeut është xhamia e Et’hem Beut, më antikja në Tiranë, dhe një prej ndërtesave fetare më të rëndësishme. Në shesh ndodhet edhe Opera, Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Historik, brenda të cilit ilustrohet historia e Shqipërisë, që nga Paleoliti e deri në Komunizëm.
Tirana është e pasur me Muze dhe Galeri Arti, të cilat ia vlen t’i përfshish në itinerarin e udhëtimit. Nuk mund të humbisni as vizitën në Bunk’Art, e vendosur brenda një bunkeri anti-atomik, që ripërshkruan historinë moderne të qytetit, nga pushtimi italian e deri në rënien e komunizmit, shkruan Gazeta Dita.
Pasi të hyni mirë në qytet, nuk mund të mos e bëni një shëtitje nga Blloku, lagja ku gjatë regjimit komunist mund të futeshin vetëm ata që kishin lidhje me nomenklaturën. Sot Blloku, është vendi më “cool” në Tiranë, me bare dhe restorante.