11 Nëntor, 2022 - 10:21 am
Nga: Haqif Mulliqi
Një dokument në dosjen “Ekstrakte nga Kosova” e Foreign Office-it, bën një rikthim në kohë, suke sjellë citate dhe komente të shtypit evropian mbi kryengritjen shqiptare kundër xhonturqve mes viteve 1910-1911. Qëllimi i administratës britanike, dhe në veçanti diplomacisë së saj, ishte t’i përafrojë gjenezën e disa problemeve që u bartën për tre dekada e gjysmë si probleme që gjenerojnë konflikte në Ballkan.
Ndërsa, në artikullin “F” të kësaj dosjeje hasim pyetjen mjaft interesante: I kujt është Shën Naumi?
Ja se çfarë shkruan gazeta bullgare “La parole Bulgare” (gazetë kjo që botohej në gjuhën frenge), nr. 822 e datës 18 dhjetor 1943:
“Manastiri i Shën Naumit dhe kisha e Shën Klementit janë dy vende të shenjta për Bullgarinë Këta të shenjtë kanë përhapur kulturën bullgare kudo që kanë shkuar. Shën Naumi ishte nxënë i vëllezërve Qirili dhe Metodi. Ai u dërgua në Maqedoninë Perëndimore nga car Borisi, ngase, ajo pjesë e Bullgarisë po bëhej çdo ditë e më e rëndësishme. Tashmë janë bërë mbi një mijë vjet qëkur ai fanar drite qëndron atje si shenjë e kulturës bullgare në Maqedoninë Perëndimore. Sa herë që vendi ndodhej nën shtypjen e huaj, ai manastir ishte gjithmonë një seli e sentimentit bullgar”.
Ja çfarë thotë historia, thonë ekspertët britanik lidhur me manastirin e kontestueshëm në cep të brigjeve të Liqenit të Ohrit:
“Pas ndarjes së Perandorisë romake në dy pjesë”, shkruajnë ekspertët britanikë, “Gadishulli Ballkanik mbeti nën administrimin e pjesës lindore, gjegjësisht të Perandorisë së Bizantit. Ndodhën shumë invadime, por në shekullin IV aty u vendosën barbarët sllavë dhe më vonë edhe bullgarët, të cilët u asimiluan shpejtë nga sllavët, bile, para se të kalonin vargmalet”, komentojnë në mënyrë ironike, britanikët. “Një pjesë e maqedonasve, të cilët ishin të një familjeje me ilirët, me trakasit dhe me epirotët, u mbytën (vranë), ndërsa një pjesë tjetër u asimilua nga sllavët, ndërsa pjesa tjetër ruajti gjuhën e vjetër (trako-ilirishte ose shqiptare).
Qirili dhe Metodi ishin nga Selaniku, me prejardhje greke. I pari ishte në shërbim të perandorit bizantin, si bibliotekist, i dyti administrator në Azinë e Vogël.
Me qëllim të kundërvënies së fesë katolike që po përhapej shpejt ndër sllavët e Moravisë dhe të Çekosllovakisë, perandori e dërgoi atje Qirilin.
Qirili zbuloi alfabetin sllav dhe së bashku me vëllain e vet, ndihmoi shumë në përhapjen e influencës së lindjes në këto provinca. Në mesin e nxënësve të tyre ishin Gorazhdi, Angelari – që përmirësojnë alfabetin – Lorenci, Klementi, Naumi etj. Ata detyrohen ta braktisin Moravinë dhe Çekosllovakinë, për shkak të përhapjes së katolicizmit, dhe të shkojnë në Beograd. Më vonë Klementi, për t’u bërë pastaj peshkop i Dembrikës (Dibrës së sotme), me Ohrin si qendër. Naumi u tërhoq në bregun e Liqenit të Ohrit dhe themeloi manastirin i cili sot e mban emrin e tij, të cilin ai vetë e kishte quajtur Shën Arkangjeli. Nga viti 910, kur vdiq Naumi e deri më 1912 ky manastir është administruar nga priftërinjtë që vareshin nga Patrikana e Stambollit, përveç një kohe të shkurtër që zgjati katër vjet, nga viti 1870-1874, kur u administrua nga priftërinj maqedonas – të varur nga kisha bullgare, përsëri me seli në Stamboll.
Pas vitit 1912, ky manastir udhëhiqej nga shteti të cilin ia përcaktonin, edhe pse ky manastir ka qenë shkak për grindje në mes të shqiptarëve dhe të jugosllavëve. Në Konferencën e Londrës kjo çështje u zgjodh në favor të Shqipërisë, ndërsa me Protokollin e Firences, në Konferencën e Parisit, në Ligën e Kombeve dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përkundër të gjitha vendimeve ndërkombëtare, siç do të sqarohet më vonë, ky manastir, faktikisht mbeti nën Jugosllavi. Pas çanëtarësimit të Jugosllavisë, ky manastir erdhi nën administrimin shqiptar.,
“Në aspektin fetar apo religjioz”, do të konstatojnë me këtë rast ekspertët britanik, “ky manastir ka më tepër rëndësi për Shqipërinë se sa për Jugosllavinë sepse, çdo vit, gjithnjë e më shumë shqiptarë e kanë vizituar atë, ndërkaq kishte shumë më pak serbë. Përveç kësaj, edhe prifti kryesor është një shqiptar nga Berati”, thonë këta ekspert për t’u zgjeruar në këtë pjesë të dokumentit me atë se si është diskutuar në fat çështja e këtij manastiri prej viti në vit, siç thonë ata, dhe prej vendi në vend.
“Më 1913, Konferenca e Londrës ia dha Shqipërisë Bregun Perëndimor të Ohrit”, thonë britanikët, “nga fshati Linit e deri tek Manastiri i Shën Naumit. Komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufijve filloi të punojë në tetor të vitit 1912. Ata filluan ndarjen e fshatit Lin dhe vazhduan lartë deri në malet e Korabit. Më pas, për shkak të dimrit ndaluan punën, për ta rifilluar serish në pranverë të vitit 1914. Vazhduan caktimin e kufijve të Shkodrës. Para se të mund ta fillonin punën nga jugu, atyre iu desh ta ndërprisnin këtë për shkak të luftës botërore. Kështu, çështja e manastirit ngeli edhe çështje e kontestuar. Konferenca e Parisit më 1921 konfirmoi vendimin e vitit 1913, e më pas edhe Konferenca e Ambasadorëve e 6 dhjetorit të vitit 1922, ia dha manastirin Shqipërisë”, shkruajnë profesorët e Baliolit.
Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, siç ishte e pritur, do të reagonte qeveria e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndaj dhe kjo çështje iu parashtrua Ligës së Kombeve, e cila vendosi që këtë kontest, ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë Jugosllave, ta zgjidh Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, kështu që vendimi i 6 dhjetorit të vitit 1922 u rikonfirmua, duke filluar nga Liqeni i Ohrit nëpër bregun perëndimor të Çevarës, nja 750 metra në veriperëndim të manastirit, më pas në afërsi të rrugës Korçë-Pogradec, duke shkuar në lindje, duke e lënë Alikapinë në Shqipëri, e Peshkopinë, Lubanishtën dhe Trabezicën në Jugosllavi. Mirëpo, ky vendim u refuzua nga Jugosllavia.
Kështu, në negociatat që u zhvilluan gjatë vitit 1925 , qeveria e Beogradit doli se ishte e gatshme që të hiqte dorë nga Vermoshi që ta merrte Shën Naumin. Ndërsa, qeveria shqiptare, e këshilluar që t’i hulumtonte dhe shqyrtonte këto mundësi, në fund e arriti këtë marrëveshje lidhur me këto negociata, kështu që Shën Naumi iu dha Serbisë, do të thotë Jugosllavisë, me ç’rast u përmirësuan kufijtë rreth Krajës, ndërsa Shqipëria e mori edhe Vermoshin. Gjithashtu, me këtë marrëveshje të kontestuar, edhe sot e kësaj dite, trembëdhjetë fshatra rreth Peshkopisë dhe brigjet rreth (në perëndim dhe jugperëndim) manastirit i takuan Shqipërisë..
“Më vonë”, shkruajnë ekspertët e Baliolit, “u mor vendimi (me protokollin e Firences të 26 qershorit 1926) që shqiptarët të mund të shkonin në manastir me varka kufiri, , për të qëndruar, vetëm për çështje fetare, jo më shumë se tri ditë”.
Më pas, me fillimin e Luftës ës Dytë Botërore dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë mbretërore, u mor vendimi që Shqipëria ta rikthejë Shën Naumin dhe nënprefekturën e Prespës, aq më tepër duke pasur parasysh faktin se pjesa dërmuese e popullatës së kësaj ane ishin shqiptar etnik. Fillimisht kjo edhe ndodhi kështu, por gjërat ndryshuam më pas, pas kapitullimit të Italisë, kur bullgarët, të prirë nga situata ne porsakrijuar dhe kaosi që po mbretëronte gjithandej, ia dolën që ta pushtojnë këtë territor etnikisht dhe legalisht shqiptar me çfarë shkaktuan çarje të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve gjë që, në këtë kohë mund të konsiderohej e dëmshme sidomos për bullgarët dhe Bullgarinë. / Press online / KultPlus.com