14 Prill, 2019 - 6:15 pm
Stadiumi i ri kombëtar vazhdon të marrë formën e tij përfundimtare ku pjesë integrale e tij do të jetë edhe hyrja kryesore, e cila falë një punë të kujdesshme u çmontua nga stadiumi i vjetër dhe u rivendos në stadiumin modern ku kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndeshjet e saj.
Për ti parë punimet në këtë stadium ishte edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ishte e shoqëruar nga arkitekti Casamonti.
Marco Casamonti, i cili është një ndër arkitektët më në zë të kohës dhe profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Genova, bashkë me ekipin e tij kanë bërë katalogimin e pjesëve historike, pastrimin dhe rivendosjen e tyre, pjesë të cilat përbëjnë fasadën kryesore, vepër e famshme të Gherardo Bosio.
“Puna ka qenë të katalogonim të gjithë pjesët, ti vendosnim nga një numër të gjithave një e nga një dhe ti magazinonim. Duke i çmontuar i kemi pastruar, janë pastruar me një hedhje të lehtë uji dhe sapun për të hequr papastërtinë që ishte akumuluar ndër vite. Pasi u ndërtua godina e re kemi rivendosur tribunën kryesore që është edhe vepra kryesore e Bosios, në pozicionin identik siç ishte përpara në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth”, tha Casamonti.
Ruajtja dhe rivendosja e fasadës historike është bërë në pozicionin identik siç ishte përpara, në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth.
“Ne mendojmë gjithashtu të dorëzojmë arkitekturën e Bosios për qindra vite në të ardhmen sepse duke mos rënë më shiu mbi këtë pjesë të fasadës, kjo fasadë do të ruhet më mirë. Kemi pasur gjithashtu shumë diskutime nëse duhet ta mbyllnim fasadën me xham apo ta mbanim të hapur dhe në fund vendosëm që ishte më mirë ta mbanim të hapur siç ishte në origjinë por e mbuluar”, u shpreh Marco Casamonti.
Studentë të ardhur nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Genova po punojnë për rikualifikimin urban të disa hapësirave publike rreth stadiumit.
E ministrja Margariti tha që e vlerëson punën e arkitektit Casamontit dhe stafit të tij për këtë pjesë të rëndësishme të memories së qytetit.
“Më pëlqeu shumë edhe rikonstruksioni që jeni duke bërë i dokumentacionit dhe videove të kohës sepse ndoshta studentët nuk e dinë por është një pjesë e munguar e historisë së qytetit tonë”, – tha ministrja e Kulturës.
Puna për përfundimin e stadiumit po vijon me ritme të larta dhe konform kushteve dhe specifikave të institucionit më të lartë të futbollit Europian, UEFA./a.t.sh/ KultPlus.com