30 Qershor, 2022 - 11:30 pm
Kulla C në kalanë e Durrësit, e rrëzuar pjesërisht nga tërmeti i vitit 2019, u rikthye ashtu siç ishte.
Rindërtimi i Kullës C, u arrit me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit të SHBA, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe të agjencisë suedeze të “Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar”.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe ambasadoret e SHBA-së dhe Suedisë, dy vendeve që kontribuan në rindërtimin e kullës. Kjo ishte hera e dytë që kulla rindërtohej, me të njëjtat materiale që kishte më parë, duke ruajtur kështu autenticitetin e saj.
“Monumentet kulturore të Shqipërisë, si kjo kullë dhe Kalaja e Prezës, të cilën e përuruam muajin e kaluar, – tha ambasadorja Kim, – kanë një histori për të na treguar neve dhe brezave të ardhshëm.”
“Shpresoj që të rinjtë, t’i shohin këto fortifikime si një simbol të trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe, tani, si një simbol të miqësisë së thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, u shpreh Kim.
Me tej ambasadorja Kim tha se Ambasada e SHBA ishte krenare që mundi të mbështeste restaurimin e Kullës C përmes Fondit të Ambasadorit të SHBA për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ndërsa ambasadorja suedeze, Elsa Hastad shtoi se është e mahnitshme që gjatë gjithë kësaj historie kjo kullë ka qenë një pikë mbrojtje dhe sulmi.
“Ja ku jemi tani të gjithë së bashku, në një kohë ku marrëdhëniet e jashtme ndërtohen me besim, bashkëpunim dhe miqësi”, – tha Hastad.
Ndërsa ministrja e Kulturës Elva Margariti hodhi idenë se emri që mban kulla është jo i denjë për historinë që përcjell kjo fortesë, dhe se do të jenë arkeologët ata që do të vendosin për një emër tjetër.
Përveç një spektakli me efekte vizive mbi muret e kullës, të pranishmit kanë dëgjuar edhe një koncert nga “a cappella” i grupit “The Kroks” tek Universitetit të Harvardit, i përbërë nga 12 studentë, të cilët këndojnë xhaz, pop, swing dhe funk nga këngët më të bukura amerikane dhe më gjerë. Çdo verë, grupi bën turne ndërkombëtarë dhe ata për herë të parë vizitojnë Shqipërinë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.
I njëjti grup do të performojë sonte tek “Reja”, për publikun e Tiranës./atsh/ KultPlus.com