16 Shkurt, 2025 - 11:30 am
Muzeu Etnografik i Krujës, që prej rihapjes së tij pas përfundimit të restaurimit në korrik të vitit të kaluar ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.
Me rreth 1000 artefakte, ekrane multimediale dhe ekspozita interaktive, vizita në muze sjell një përvojë tërheqëse për të gjitha moshat që vizitojnë muzeun.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik, Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “në muze pas restaurimit të kryer në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Europian zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në muze ka pasur një fluks të lartë vizitorësh gjatë 2024”.
“Nga fundi i korrikut kur u rihap deri në fund të dhjetorit, Muzeun Etnografik e kanë vizituar 15 mijë vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe traditat shqiptare”, tha Hafizi.
Që prej hapjes së tij, muzeu ofron një risi për vizitorët, ku përmes teknologjisë VR vizita e tyre është më tërheqëse dhe ndërvepruese.
“Kjo teknologji përmirëson tregimin brenda muzeut, duke ofruar narrativa dinamike dhe ndërvepruese që magjepsin vizitorët”, tha Hafizi.
Sipas tij, kjo përvojë unike dhe magjepsëse i transporton vizitorët në dimensione të reja brenda një ekspozite.
Ardiola Alikaj, drejtoresha e shoqatës kombëtare të guidave turistike, gjatë vizitës në këtë muze së bashku me një grup të rinjsh udhërrëfyesish të ardhshëm tha se “muzeu i hapur pas një periudhe dyvjeçare i ofron vizitorit një eksperiencë të jashtëzakonshme. Përveç shpjegimit që vetë stafi ofron që është një mënyrë ekselente për ta vizituar një destinacion, tashmë është inkorporuar në këtë paketë të re turistike, e gjithë teknologjia inovative e VR, e tabelave të ndryshme shpjeguese në 5 gjuhë të huaja audio-guide, po ashtu edhe shumë tabela shpjeguese, që janë shumë të rëndësishme për vizitorin individual”.
Shtëpia-muze ka një total prej 15 dhomash, secila me funksionin, kompozicionin dhe simbolikën socio-etnografike përkatëse. Shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, e vizitojnë Muzeun Etnografik si një pjesë të rëndësishme të turit të tyre në qytetin historik të Krujës.
Ky muze ndodhet në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764. Në muze paraqitet trashëgimia e pasur kulturore e Shqipërisë. Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Në mjediset e brendshme, si edhe tek objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës, duke filluar që 300 vjet përpara.
Muzeu Etnografik i Krujës u rihap më 23 korrik të këtij viti./atsh/KultPlus.com