20 Dhjetor, 2018 - 1:00 pm
Ivana Nikoliq BIRN Beograd
Mijëra romë u mbajtën nëpër kampe dhe u vranë në Serbinë e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore së bashku me hebrenjtë e vendit, por shumë pak është bërë për të përkujtuar vuajtjen ose për të ruajtur kujtimin e tyre.
Ishte herët në mëngjes më 29 tetor 1941 kur forcat naziste rrethuan lagjen me shumicë rome të Marinkova Bara në Beograd.
Rreth orës 5 të mëngjesit, policia kolaboracioniste dhe forcat e xhandarmërisë hynë në vendbanimin e romëve, duke marrë banorët e saj meshkuj. Burrave të frikësuar dhe familjeve të tyre iu tha se ata do të ktheheshin përsëri shpejt pasi të përfundonin punën ose pas një kontrolli rutinë të mjeteve të identifikimit.
Por askush nuk u kthye më.
Burri i Milena Stankoviq, vëllezërit dhe kunati ishin ndër të arrestuarit.
“Ata i morën nga apartamenti dhe i futën në kamp në Autokomanda (kampi i përqendrimit Topovske Supe). Pas dy ditësh atje, ata u dërguan në një drejtim të panjohur. Deri më sot, s’kam marrë vesh asgjë për ata,” thuhet në një deklaratë që Milena, e cila në kohën e arrestimeve ishte 48 vjeçe, i dha Komisionit të Jugosllavisë për Përcaktimin e Krimeve të Pushtuesve dhe Bashkëpunëtorëve të tyre më 26 qershor 1945.
Komisioni, i cili operonte në të gjithë Jugosllavinë, u krijua për të dokumentuar krime dhe mizori të tjera të kryera nga nazistët dhe aleatët e tyre vendas, si dhe për të numëruar viktimat. Dëshmitë e dhëna nga Milena Stankoviq dhe shumë të tjerë tani mbahen në Arkivin Jugosllav në Beograd.
Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, 60,000 romë jetonin në Serbi dhe 300,000 në të gjithë Jugosllavinë.
Studiues dhe ekspertë thonë se ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e romëve që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por vlerësimet sugjerojnë se në Serbi kanë vdekur nga 12,000 deri në 20,000.
Vdekjet e tyre ishin një pasojë direkte ose indirekte e ligjeve rigoroze anti-rome të pushtuesve nazistë, të zbatuara nga regjimi kolaboracionist i Serbisë i udhëhequr nga kryeministri Milan Nediq dhe qeveria e tij kukull, zakonisht e referuar si Qeveria e Shpëtimit Kombëtar.
Nga tetori i vitit 1941 deri në fillim të vitit 1942 në disa qytete dhe qyteza në Serbinë e pushtuar, burrat romë u arrestuan, u futën nëpër kampe dhe u ekzekutuan së bashku me hebrenjtë meshkuj.
Gratë dhe fëmijët romë gjithashtu u arrestuan dhe u burgosën në kampin e përqendrimit Staro Sajmiste në Beograd, së bashku me hebrenjtë.
Rreth një e treta e tyre vdiqën, edhe pse shumica arriti të mbijetonte – pjesërisht për shkak të një lehtësimi të rregulloreve dhe pjesërisht për shkak se ata nuk ishin më në krye të listës së përparësive të nazistëve.
Në një të diel u mbajt një përkujtimore në qendrën përkujtimore Stratiste anë qytetit serb të Pancevos për të shënuar Ditën e përvitshme të Përkujtimit të Viktimave Rome të Luftës së Dytë Botërore, e organizuar nga Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Çështjeve Sociale të Serbisë.
“Është detyra jonë, duke kujtuar të gjithë ata që u vranë këtu, që të mos lejojmë që viktimat të harrohen dhe relativizohen. Ne duhet të dëshmojmë për këtë krim të tmerrshëm dhe të vazhdojmë të paralajmërojmë njerëzimin që tmerre të tilla të mos i ndodhin në kurrë asnjë kombi dhe asnjë qenieje njerëzore kudo,” tha në ceremoni Dalibor Nokiç, kryetari i Këshillit Kombëtar të Romëve në Serbi.
Aktivistët, të afërmit e viktimat dhe ekspertët shprehen se “Samudaripen” ose “Porajmos” – fjala në gjuhën rome për Holokaustin – është një krim pothuajse i harruar në Serbi dhe se ëstë bërë shumë pak për të ruajtur kujtimin e atyre që u vranë ose u përndoqën.
“Ka një pyetje se përse nuk i është kushtuar vëmendje persekutimit dhe vrasjes së romëve. Askush nuk ishte vërtet i interesuar,” tha për BIRN Dragolub Ackoviq, një anëtar i Parlamentit Botëror të Romëve, i cili ka bërë kërkime të gjera mbi Holokaustin e Romëve në Jugosllavi. “Kështu duket sikur romët nuk vuajtën fare.”
Një çështje përgjegjësie
Persekutimi i drejtpërdrejtë i romëve në Serbi filloi në fund të majit të vitit 1941, kur ligjet që institucionalizuan persekutimin e hebrenjve u aplikuan gjithashtu për ta.
Që nga ai çast e në vazhdim, romët qenë të detyruar të bënin punë të detyruar dhe të mbanin një shirit të verdhë me fjalën “Zigeuner” (fjala në gjermanisht për cigan), u ndaluan të punonin në institucionet shtetërore, të shkonin në spitale dhe institucione të tjera publike dhe të përdorin transporti publik.
Ata duhej të raportonin në polici dhe në disa raste edhe u ndaluan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Milovan Pisarri, një historian nga Qendra për Historinë Publike me bazë në Beograd dhe një ekspert për Holokaustin e Romëve, u shpreh se edhe pse gjermanët ishin ata që komandonin, ata kishin shumë ndihmë nga autoritetet kolaboracioniste në Serbi.
“Autoritetet kolaboracioniste të Serbisë u urdhëruan të monitoronin hebrenjtë dhe romët dhe të siguroheshin që të gjitha rregullat e imponuara të respektoheshin. Dhe ata po e bënin plotësisht këtë,” tha Pisarri për BIRN.
Në qershor 1941, autoritetet kolaboracioniste miratuan disa dispozita që kishin në shenjestër romët dhe hebrenjtë.
Një prej tyre u lëshua nga Sindikatat e Muzikantëve të Serbisë, duke informuar muzikantët me origjinë hebraike dhe rome se ata e kishin të ndaluar të punonin që tani e në vazhdim. Shumë romë në Serbi tradicionalisht e kanë fituar jetesën duke luajtur muzikë dhe duke kënduar.
“Pra, ata s’bënin dot gjë, përveçse të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe në pjesët e qytetit ku jetonin,” shpjegoi Pisarri.
Megjithatë, më e keqja do të vinte më vonë – nga mesi i tetorit 1941, burra romë po arrestoheshin, mbaheshin peng dhe vriteshin në të gjithë Serbinë e pushtuar.
Rreth 1,500 meshkuj u internuan në kampin e përqendrimit Topovske Supe dhe më pas u ekzekutuan në Jabuka pranë Pancevos; 200 burra romë u vranë në qytetin perëndimor të Sabacit bashkë me hebrenjtë, ndërsa disa qindra u vranë në qytetet Kragujevac dhe Leskovac.
“Po ndodhte gjithmonë në të njëjtën mënyrë: nazistët urdhëronin arrestimet e burrave romë, forcat e tyre rrethonin lagjet dhe më pas policia dhe xhandarmëria serbe hynin nëpër shtëpi në orën 4 ose 5 të mëngjesit, i zgjonin njerëzit dhe u thonin se burrat duhej të shkonin me ta, duke cituar punën e detyruar ose kontrollet rutinë si arsye kryesore,” tha Pisarri.
Burrat e arrestuar fillimisht do të dërgoheshin nëpër rajonet e policisë lokale dhe pastaj policia serbe do t’i transferonte ata nëpër kampet e përqendrimit.
“Gjermanët urdhëronin arrestimet, por çdo gjë bëhej nga autoritetet kolaboracioniste serbe,” tha Pisarri.
Kishte gjithashtu raste në të cilat bashkëpunëtorët vendas i tregtonin romët për serbët e arrestuar, më së shumti në qytetin jugor të Leskovacit në dhjetor 1941, shtoi Pisarri.
“Gjermanët fillimisht arrestuan serbët, por më pas autoritetet lokale ndërhynë dhe thanë: ‘Lërini serbët të shkojnë, ne do t’ju japim romët,” tha ai.
“Kudo kishte gjak”
Pas arrestimeve dhe ekzekutimeve të burrave romë, nazistët filluan të përqendroheshin te gratë dhe fëmijët romë nga Beogradi. Nga data 8 dhjetor 1941, ata filluan të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në kampin Staro Sajmiste.
Disa vdiqën atje, ndërsa shumë prej atyre që më pas u liruan, vdiqën si pasojë e trajtimit brutal dhe kushteve të këqija në kamp, duke përfshirë të ftohtin dhe urinë.
Ata që mbijetuan dhanë përshkrime të detajuara të jetës brenda kampit të përqendrimit. Njëri prej tyre ishte Milorad Dekiq, i cili u internua kur ishte 14 vjeç.
“Na futën në një hangar të madh, si hangar. Mund të shihje qiellin sipër teje dhe çdo gjë ishte e shkatërruar. Kishte katër ose pesë kate shtretërish, dërrasa të vendosura në formë rrethi dhe asgjë më shumë. Nuk kishte furrë, asnjë sobë dhe hangari ishte vetëm me romë. Mendoj se ne ishim rreth 700 ose 800 vetë,” thuhej në dëshminë e Dekiçit, që BIRN e siguroi nga Qendra për Holokaustin dhe Arsimin Kërkimor në Beograd.
“Ata sillnin ushqime dhe e shpërndanin atë në pavijonin tonë, por nëse nuk ishe atje, kishte një shkop që priste kokën tënde, të të qëllonte, të të çante kokën dhe ngado kishte gjak, por nuk kishte asnjë doktor, asgjë,” kujton Dekiq.
“Dhe pastaj erdhi tifoja, morrat… Çdo natë vdisnin 10-15 vetë.”
Edhe pse e ashtuquajtura “Çështja cigane” ishte në krye të agjendës së nazistëve, në korrik të vitit 1941 ata miratuan një dispozitë që thoshte se të gjithë ata që mund të vërtetonin banimin e tyre në Serbi para vitit 1850, do të përjashtoheshin përkohësisht nga ligjet anti-rome.
Kishte disa arsye për këtë vendim, shpjegoi Pisarri.
“Kjo ka të bëjë me disa përparësi të tjera në atë kohë, siç ishte lufta me partizanët (komunistë jugosllav) dhe fakti që gjermanët kuptuan se kishte shumë romë që jetonin në Serbi dhe se nuk ishte koha për të filluar të zgjidhnin të ashtuquajturën çështje cigane,” tha ai.
“Pra, romët që mund ta vërtetonin këtë, trajtoheshin si serbë, që është edhe arsyeja pse shumë gra dhe fëmijë romë u liruan nga kampi i përqendrimit Staro Sajmiste nga dhjetori deri në shkurt 1942,” shtoi ai.
Edhe pse nazistët synonin të vazhdonin me ekzekutimin e të gjithë romëve pas kësaj ndalese të përkohshme, ata u shpërqendruan nga viti 1943 e në vazhdim nga lufta në Frontin Lindor.
Jo ndjeshmëri për vuajtjen e romëve
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, gjykatat jugosllave të luftës akuzuan disa dhjetëra njerëz për krime lufte, por holokausti i romëve nuk u përfshi kurrë në aktakuza. Vrasjet dhe persekutimi i romëve përmenden vetëm në raste sporadike nëpër vendime, ndërkohë që fokusi kryesor ishin viktimat serbe dhe hebreje.
Në vitet që pasuan, holokausti i romëve gjithashtu ka tërhequr pak vëmendje nga publiku i gjerë dhe hulumtuesit, dhe asnjëherë nuk është mësuar nëpër fakultetet universitare apo në shkollat e mesme, tha Nikola Radiq Lucati nga Qendra për Hulumtim dhe Edukim për Holokaustin, e cila do të botojë bazën e paarë të dëshmive të holokaustit romë, një listë e atyre që u vranë dhe një hartë interaktive e Serbisë së pushtuar.
Radiq Lucati tha për BIRN se “thjesht nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie kundrejt vuajtjeve të popullit romë që në një numër të madh rastesh ekzistojnë së bashku me holokaustin e hebrenjve”.
Ai sugjeroi se kjo ishte “ose një çështje injorance ose çështje paragjykimesh ose thjesht nuk pranohet nga publiku i gjerë”.
Radiq Lucati gjithashtu tha se persekutimi i romëve në Serbi nuk ka përfunduar kurrë dhe se vazhdon ende edhe sot me margjinalizimin e tyre ekonomik dhe social.
“Ai vazhdoi gjatë kohës së socializmit dhe pas tij dhe romët janë një shembull i mirë se si disa metodologji të caktuara të fashizmit nuk janë zhdukur kurrë,” tha ai.
Marija Mitroviq nga Koalicioni i të Rinjve Romë të Serbisë ra dakord me faktin se nxënësve në Serbi “nuk u janë dhënë mundësi për të mësuar historinë e romëve në arsimin formal si pjesë e lëndës së historisë”.
Mitroviq gjithashtu tha se shumica dërrmuese e njerëzve në Serbi – përfshirë edhe Romët – nuk janë të vetëdijshëm për persekutimin dhe vrasjen e romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Koalicioni i Rinisë Rome do të përpiqet ta trajtojë këtë duke filluar një sërë leksionesh vitin e ardhshëm për Samudaripenin, diskriminimin bashkëkohor kundër romëve dhe atë që ata kaluan gjatë konflikteve të viteve 1990.
Megjithatë, Ackoviq tha se anëtarët e komunitetit rom janë të vetëdijshëm për persekutimin gjatë Luftës së Dytë Botërore, por vetëm e njohin atë nga historitë që janë treguar.
“Nuk ekziston një gjë e tillë si kujtesa e organizuar kolektive,” tha ai. “Dhe ky qëndrim është i mirëpritur këtu në Serbi,” shtoi ai, duke sugjeruar se mungesa e pyetjeve të sikletshme për fatin e romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore i shkon për shtat autoriteteve serbe.
Ackoviq, i cili ishte i përfshirë në një çështje ligjore që pa Gjermaninë të urdhërohej në vitin 2000 t’i paguante kompensim njerëzve që u detyruan të kryenin punë të detyruar në Serbi gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha se ai ende shpreson se autoritetet shtetërore do ta përmbushin premtimin e tyre për ta kthyer Staro Sajmisten në një qendër përkujtimore, e cila supozohet të përfshijë edhe një muze rom.
Derisa të ndodhë kjo, ndërtesa në të cilën të afërmit e tij u mbajtën të burgosur dhe u abuzuan në Beograd mund të mbetet siç është sot – një restorant i specializuar në kuzhinën kombëtare serbe, i rrethuar nga stacione autobusi./ Kallxo.com/ KultPlus.com