3 Shkurt, 2019 - 7:50 pm
Unë jam Valmire Berisha, vajza që qysh në fëmijërinë e saj përballet me një aftësi të kufizuar – verbërimin, mirëpo pa marrë parasysh sfidat e shumta që unë kam hasur në jetën time, ia kam dalë dhe sot gëzoj titullin Magjistre e Shkencave Juridike në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Edhe pse jeta për mua është treguar shumë e ashpër dhe sfiduese qysh në hapat e mi të parë, unë permes ndihmës së nënës time që gjatë gjithë kohës ka lexuar për mua, kam arritur që të shkollohem, të avancohet shumë dhe të jap kontributin tim edhe për personat me aftësi të kufizuara, me çka nga shumë organizata të huaja kam marrë dekorime të ndryshme.
Ambicia, vullneti dhe puna e palodhshme ka bërë që unë sot të kem edhe organizaten time te quajtur “Kërko të drejtën tënde”. Qëllimi i kësaj organizate është mbrojtja e të drejtave të njeriut e në veçanti lufta për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Përpos këtyre, unë merrem edhe me muzikë, këndoj këngë me motive religjioze dhe kombëtare. Jam aktive edhe në media, qoftë ato vendore apo rajonale duke trajtuar çështje të ndryshme juridike veçanërisht ato që prekin personat me aftësi të kufizuara.
Në vitin 2013 kam marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuar në Republikën e Turqisë. Tani jam edhe duke ndjekur edhe studimet master në Psikologji dhe studimet e doktoraturës në jurisprudencë.
Gjithmonë kam dashur te jem një shembull dhe motiv për njerzit, sepse pa marrë parasysh sfidat me të cilat na përqafon jeta, ne asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi e heqim dorë nga ëndrrat dhe dëshirat tona!
Autore: Valmira Berisha
supergrate.net