27 Shkurt, 2019 - 8:30 pm
Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike dhe është gati të presë vizitorët.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca mori pjesë sot në lançimin e fushatës ndërkombëtare digjitale të Turizmit 2019 “Be taken by ALBANIA”.
Ai tha se “objektivi i kësaj fushate janë të gjithë ata që nuk kanë shkelur në Shqipëri dhe meqë nuk kanë ardhur më parë kanë paragjykime, sepse shumica e njerëzve e krijojnë perceptimin e Shqipërisë nëpërmjet filmave apo se çfarë ka ndodhur në vendet e tyre kur kanë parë shqiptarë aty”.
“Shumica e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE janë njerëz të ndershëm që punojnë fort. Ata janë profesionistë të vërtetë dhe të respektuar. Por lajmet e mira nuk dalin në lajme. Kështu që ne na duhen iniciativa si kjo që t’u tregojmë njerëzve se cila është Shqipëria e vërtetë. Të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, kur largohen nga Shqipëria kanë një mendim tërësisht të mirë për të”, tha Soreca.
“Javën e shkuar isha tek ‘Mrizi i Zanave’. Altin Prenga u zgjodh si shqiptari i vitit. Ajo e Altinit dhe kjo e sotmja janë dy iniciativa të mrekullueshme që shpresoj që do të krijojnë imazhin e duhur për Shqipërinë. BE është këtu për të bërë këtë gjë. Tani do ju drejtohem atyre që s’janë këtu. Atyre u them, Rrëmbehuni nga Shqipëria”, u shpreh ambasadori Soreca./ata