21 Gusht, 2023 - 3:23 pm
Njëra ndër objektet më të rëndësishme kulturore dhe historike të qytetit të Mitroviës, shtëpia e familjes Koroglu, është rrënuar pjesërisht,shkruan KultPlus.
Për këtë objekt me rëndësi historike për qytetin e Mitrovicës, e i cili është i mbrojtur me ligj, si vlerë e trashëgimisë kulturore, ka reaguar Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës duke kërkuar që të ndërmirren hapa të menjëhershëm, në riparimin e më pas edhe konservimin dhe menaxhimin e këtij objekti.
KultPlus jus jell reagimin e plotë të kësaj organizate:
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe organeve kompetente në nivel lokal,
Në emër të Rrjetit të Organizatave Kulturore të Mitrovicës, dëshirojmë të sjellim në vëmendje një ngjarje shqetësuese që ka ndodhur ditë më parë në qytetin e Mitrovicës. Një ndër objektet e rëndësishme kulturore dhe historike të qytetit, shtëpia e familjes Koroglu, e mbrojtur me ligj si vlerë e trashëgimi kulturore, është rrënuar pjesërisht dhe kësisoji është rrezikuar të rrënohet në tërsi.
Shtëpia e familjes Koroglu e ndërtuar në shekullin XIX me stil otoman, është një dëshmi e qartë e pasurisë historike dhe kulturore të qytetit të Mitrovicës dhe si e tillë ka hyrë në mbrojtje që nga viti 1978, si dhe vazhdon të jetë në listën e objekteve nën mbrotje nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës (kategoria: trashëgimi arkitekturore, me numër unik 3 në databazë). Rrënimi i këtij objekti të çmuar për trashëgiminë tonë është një humbje e thellë që prek jo vetëm të tashmen, por gjithashtu dhe gjeneratat e ardhshme.
Me anë të këtij reagimi, ne kërkojmë që të ndërmirren hapa të menjëhershëm dhe konkret drejt riparimit të dëmit të shkaktuar, dhe të ndërmerren masa të menjëhershme pasuese për të garantuar konservimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të këtij objekti.
Përveç kësaj, kërkojmë që të nisë një proces sa më të shpejtë për hartimin e një plani të qartë dhe të detajuar për menaxhimin e trashëgimisë kulturore në nivel lokal, gjë e cila është kërkuar në vazhdimësi nga sektori i pavarur kulturor në Mitrovicë. Ky plan duhet të përfshijë hapa për ruajtjen dhe promovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe për të siguruar një mirëkuptim të gjerë dhe angazhim të komunitetit për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë sonë të përbashkët kulturore.
Në fund, i bëjmë thirrje organeve kompetente si në nivel lokal poashtu edhe qëndror si: QRTK, DKRS, DPU, MKRS, që të angazhohen në një bashkëpunim të ngushtë me komunitetin tonë dhe organizatat kulturore për të siguruar që kjo vlerë e jashtëzakonshme kulturore të ruhet për brezat e ardhshëm dhe të promovohet si një pasuri e patjetërsueshme e Mitrovicës.
Presim me padurim veprime të menjëhershme për të garantuar mbrojtjen e trashëgimisë sonë të çmuar.
Organizatat që iu kanë bashkangjitur reagimit, sipas renditjes alfabetike:
7 Arte
Dhemetra
KnKub Heritage
KosovaArs
Mitrix
Mitrovica Guide
Me dorë në zemër
Mundësia
REC Kosova
Trungu
Valët e Paqes/KultPlus.com