6 Mars, 2018 - 10:00 am
Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar shtëpia e familjes Hisarit, e cila gëzonte mbrojtje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Kjo shtëpi është e listuar në shtojcën II të këtij Ligji përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit. Aty shkruan se shtëpia e Hilmi Hisarit i takonte shekullit XIX.
Sipas informatave fillestare të marra nga autoritetet lokale të trashëgimisë kulturore shtëpia ka qenë në gjendje jo të mirë për banim. Kësisoj institucionet ëshë dashur që me kohë të angazhohen në dy drejtime: për sigurimin e jetës së banorëve dhe po ashtu për mbrojtjen e monumentit.
Kjo shtëpi sipas hulumtuesve kishte vlera historike, shkencore, artistike, identiteti, ekonomike dhe funksionale.
EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe përsërit sërish qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotëtë legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur, gjithnjë duke e përfillur në radhë të parë nevojën për sigurinë e jetës së qytetarëve, thuhet ne komunikaten e leshuar nga EC Ma Ndryshe ./KultPlus.com