14 Shtator, 2017 - 12:50 pm
Shkarjet e tokës në Lezhë janë të vazhdueshme sa herë ka reshje shiu. Por kësaj here rrezikohet të shembet muri ilir, i cili sipas historisë realizonte rrethimin e dytë të lisusit antik.
Ky mur ilir që realizonte rrethimin e dytë të Lisusit antik në shekullin e 4 para Krishtit, Lezha e sotme, po ripërtërihet pas rrëshqitjes së gurëve gjatë motit të keq të një viti më parë. Për shkak të rëndësisë historike, Ministria e Kulturës e përfshiu restaurimin, konservimin dhe sistemimin e tij në paketën e parashikuar për ndërhyrje në Qarkun e Lezhës, shkruan abc news.
Specialisti i Monumenteve të Kulturës në Lezhë Dedë Margjoni shpjegon se kjo zonë quhet porta e brendshme e Lisit Antik dhe mbetet një aset i rëndësishëm pasi konsiderohet si një prej mureve më të fuqishëm të qyteteve ilire.
Sipas tij vlerat dhe trashëgimia e Lezhës ende nuk është shpalosur para publikut dhe nuk është promovuar sa duhet, por duke shtuar se duhen edhe investime. Pas restaurimit të murit, Bashkia e Lezhës do të nisë punën për t’i dhënë vëmendjen e merituar kësaj pjese të historisë, për ta bërë këtë mur antik të vizitueshëm nga turistët.