3 Maj, 2023 - 12:00 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri publike shifrat e frekuentimit të kalasë së qytetit të Gjirokastrës për muajin prill. Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1-30 prill 2023, kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
11177 vizitorë gjatë kësaj periudhë ose 6888 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë, në vitin 2022.
Kalaja e Gjirokastrës është atraksioni kryesor i qytetit, i cili vitet e fundit pret një numër të lartë vizitorësh, vendas e të huaj, përgjatë gjithë vitit.
Kalaja përmendet për herë të parë në vitin 1336. Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, i cili këtë vit do të zhvillohet në muajin qershor./atsh/ KultPlus.com