31 Janar, 2019 - 8:47 pm
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur në takim Presidentin e kompanisë “Global Hotel Investments” AG, Roger Maibach, kompani kjo e cila në partneritet me rrjetin më të madh të hoteleve në botë “ACCOR HOTELS” ka dorëzuar aplikacionin për statusin e Investitorit Strategjik për “Hotel Grandin” në Prishtinë.
“Accor Hotels” është një rrjet global i hoteleve dhe lider i tregut në Evropë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Ky rrjet posedon 4300 hotele në 100 shtete.
Në kuadër të këtij grupi veprojnë hotelet më të njohura botërore si: Movenpick, Fairmont, Sofitel, Rixos, Pullman, Swissotel, Grand Mercure, Novotel, Ibis etj.
Presidenti i “Global Hotel Investments AG”, Roger Maibach, potencoi që ky rrjet i hoteleve së shpejti do të jetë prezent edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni, shkruan ndertimi.info
“Aplikimi i një rrjeti me reputacion si ‘ACCOR Hotels’ për të hyrë në tregun e Kosovës është fat i mirë dhe gjithsesi do të kontribuojë edhe në interesimin e kompanive të tjera të këtyre përmasave për fitimin e statusit të investitorëve strategjik në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Diasporës.