23 Korrik, 2020 - 11:23 am
Veshjet popullore janë padyshim një pasuri e madhe e kombit shqiptar. Një ndër veshjet më elegante, e përgatitur nga mjeshtra beratas është edhe “Sako”, ku ndihej ende jehona e luksit bizantin.
Veshje që tregonte shijen, sqimën e finesën e grave të aristokracisë beratase e gjetkë e që dallohej në gjithë Shqipërinë e Jugut.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, publikoi disa fotografi nga kjo veshje, ndërsa bëri të ditur se dy të tilla gjenden në fondin e Muzeut Etnografik dhe i përkasin mesit të dytë të shek. XIX.
Sako pa mëngë është e gjatë deri poshtë pulpës, pas trupit në pjesën e sipërme, supe shumë të ngushtë, veref në pjesën e poshtme dhe më e gjatë nga prapa, duke krijuar idenë e një veshjeje të rëndë.
Janë përgatitur me material cohë e zezë e importuar, të qëndisur me tërtil ari e fill mëndafshi dhe gjashtë rreshta gajtanësh në të gjitha anët e saj, duke krijuar një jakë gati mbretërore.
Qëndisjet janë shumë te thjeshta: vijëzime, gjarpërime, dredhëza e lule katërpetalesh në pjesën e përparme, qoshet fundore e në shpinë.
Sako pa mëngë vishej me linjë mëndafshi (byrynxhyk) deri në fund të këmbëve që me kalimin e kohës u shkurtua, me mëngët e gjera të qëndisur me ar e temina në ekstremitete, jeleku i shkurtër të qëndisur me ar, ndërsa mesi zbukurohej nga brez argjendi me pafta e gurë të çmuar. / KultPlus.com