Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor vjen së shpejti në Prishtinë

20 Nëntor, 2018 - 5:26 pm

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Civil Rights Defenders, organizon Samitin e Romëve të Ballkanit Perëndimor 2018, i cili do të mbahet në hotelin Sirius në datat 21 dhe 22 nëntor 2018.

John Stauffer, Drejtor ligjor dhe zëvendësdrejtor i Civil Rights Defenders, dhe Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore e Suedisë në Prishtinë, do ta hapin këtë ngjarje derisa aty do të flasin edhe akademik e aktivistë të shquar nga Çekia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Kosova, Suedia e Turqia.

Ata do të flasin për temat siç është nevoja për ndryshim të politikave në Europë, roli i ndërmjetësimit strategjik në luftën kundër diskriminimit të romëve, për çështjet me të cilat ballafaqohet komuniteti rom në Ballkanin Perëndimor e në Turqi, për çështjet të cilat refugjatët rom ballafaqohen në Turqi, si dhe për sfidat e romëve LGBT dhe gjithashtu për përfshirjen e romëve.

Përgjatë dy ditësh, ky samit do të tubojë një numër aktivistësh të të drejtave të njeriut dhe aktivistë romë nga rajoni.

Sipas të dhënave të BE-së, romët janë pakica më e madhe etnike në Europë. Nga përafërsisht 10-12 milionë romë, rreth 6 milionë prej tyre jetojnë në BE. Përkundër faktit se janë miratuar një varg politikash për përfshirjen e romëve, ata ende ballafaqohen me diskriminim këmbëngulës si në BE ashtu edhe në Ballkan.

Qëllimi i Samitit të Romëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka filluar në vitin 2015, është tërheqja e vëmendjes karshi antigjipsizmit dominues, diskriminimit sistematik dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut të romëve në rajon dhe thirrja drejtuar qeverive të Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar plotësisht standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor promovon dhe fuqizon bashkëpunimin rajonal me qëllim të tejkalimit të sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen romët në Ballkanin Perëndimor; u mundëson pjesëmarrësve të mësojnë e të shkëmbejnë përvoja dhe mbështet nisma të reja dhe bashkëpunimin rajonal.

Samiti fillon qysh në orën 9:30 e për të vazhduar me agjendën deri në orën 20:00. /KultPlus.com

Të ngjajshme